Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar Policinë e Shtetit, që ka tentuar të fshehë vrasjen që ndodhi një ditë më parë në Dibër.
Bërisha shprehet se një polic i ka shkruar se kolegët e tij kanë tentuar të fshehin vrasjen e Alban Kaloshit në Peshkopi, për shkak se autori ishte kunati i shefit të SHCBA-ve.
“Çunat e krimit ne Diber deshen te fshehin vrasesin!
Lexoni mesazhin e policit dixhital. sb
“Prsh Dr. Berisha. U tentua të fshihej vrasja në Peshkopi për të vetmen arsye se autori ishte kunati i shefit të ShÇBA, së drejtorisë së policisë Dibër, njëkohësisht dhe djali i dajës së shefit të qarkullimit rrugor të Dibrës. Kjo është policia jonë. Anonim ju lutem pasi jam punonjës policie dhe të fshijn nga vendi i punës këta.”, shkruan Berisha.
Kujtojmë se Alban Kolashi u qëllua me armë një ditë më parë në qytetin e Peshkopisë. Mësohet se mjekët e personalit të spitalit të Peshkopisë, kanë qenë të parët ata që e kanë gjetur të pajetë ish-punonjësin e OSHEE-së.
Sipas të dhënave të fundit, në spital e sollën dy persona, e hodhën në oborr nga mjeti i tyre, dhe u larguan për të humbur gjurmët. Skena është parë nga personeli i spitalit.
Sapo mjeku roje dhe infermieret kanë dalë nga urgjenca, kanë gjetur të pajetë shtetasin Alban Kaloshi. Ata kanë njoftuar menjëherë Policinë se në oborrin e spitalit është gjetur një viktimë.
“Ka qenë ora 03:30 kur kemi dëgjuar zhurmën e një makine dhe kemi dalë në derën e urgjencës. Kemi parë dy persona që ikën me shpejtësi. Nuk i dalluam kush ishin. Iu afruam personit që hodhën aty dhe pamë që ai kishte vdekur”, janë shprehur për policinë personeli i urgjencës së spitalit të Peshkopisë.
Pas kësaj, mjekët kanë telefonuar me shpejtësi sallën operative. Por edhe pse policia u vu në kërkim, personat ishin larguar në drejtim të lagjes “Kamen”.
Ndërkohë mjeku ligjor, pas vëzhgimit të trupit ka konstatuar një plagë plumbi me hyrje në kraharor dhe dalje në shpinë. (D.D/Shuplaka)