Eshtë dhënë masa e sigurisë “Arrest me burg” për Bledar Toçin, i cili vrau pak ditë më parë Dritan Haxhollin në Kavajë.
Masa e sigurisë, shefit të burgjeve i është komunikuar në ambjentet e spitalit të Durrësit, pasi mbeti i plagosur.
Avokati i Toçit, Luan Mansaku shprehet Bledari ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes. “Ne kemi kundërshtuar dhe kemi kërkuar “arrest shtëpie” edhe për shkak të gjendjes shëndetësore.”
Gjithashtu ditën e sotme është dhënë edhe masa e sigurisë “Arrest me burg” për vëllain e tij. Gjykata e Kavajës la në burg vëllain e Bledar Toçit për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Bernard Toçit iu gjet në banesë 7 doza kokainë. Mësohet se Bernard Toçi ka qenë e proceduar edhe më parë.
Pas daljes nga spitali i Durrës, aty ku iu komunikua edhe masa arrest m burg shefit të burgjeve, avokati i tij, ka folur për mediat.
Mansaku shprehet se klienti i tij është qëlluar dy herë nga Dritan Haxholli.
‘Është qëlluar dy herë me armë. Është qëlluar dy herë nga një person i cili ka kryer disa vepra penale, shumë i rrezikshëm, me automatik në dorë. Janë të dhënat në dosje. Masa e kërkuar nga prokurori nuk përputhet me atë që parashikon vetë ligji.
Po t’i referohemi ligjit, vetë ligji thotë rrezikshmëri e veçantë njëherazi, edhe e veprës edhe e autorit. Dhe autori në mënyrë absolute ka një personalitet shumë të mirë, përkundrazi ka qenë punonjës i sigurisë së burgjeve. Kështu që nuk përputhet ajo që kërkon prokurori. Për këto arsye ne kërkuam arrest në shtëpi dhe për shkak të gjendje shëndetësore’, deklaroi avokati mbrojtës i Bledar Toçit.
Si ndodhi vrasja?
1 i vdekur dhe një i plagosur ishte bilanci i një sherri në orët e para të mëngjesit të tre ditëve më parënë Kavajë, në banesën e Marsida Qatjas. Mësohet se e reja ka pasur një marrëdhënie me viktimën Dritan Haxholli, shkëputjen e të cilës nuk e kishte pritur aspak mirë ky i fundit që më pas kërcënonte dhe e përndiqte shtetasem M.Q.
“Do të ta nxij jetën”, ky ka qenë një nga mesazhet më të shpeshta të Haxhollit, i cili njihej si person problematik, dhe kishte bërë burg edhe në shtetin grek.
Kjo situatë kërcënimesh është përsëritur dhe natën kur ka ndodhur vrasja, para mesnate ku e reja është detyruar që ta thërresë në banesë Haxhollin me pretendimin për t’u sqaruar, dhe nga ana tjetër kishte kërkuar ndihmën e efektivit të policisë Bledar Toçi, i cili kishte mbërritur në shtëpinë e saj së bashku me armën e shërbimit. Fillimisht u raportua se M.Q dhe Toçi kishin një raport mes tyre, po kjo mbetet ende e pakonfirmuar.
Haxholli dhe Toçi kanë qenë të dy të pajisur me armë, dhe kjo ka bërë që sherri mes të degjenerojë në përdorimin e tyre, ku i pari mbeti i vdekur në vend, ndërsa punonjësi i policisë u transportua në spitalin e Traumës, pasi mbeti i plagosur.
(K.H/Faxweb.al)