Babai i Albi Xhezairit, është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në oborrin e shtëpisë së tij me një breshëri plumbash.
Viktima Agron Xhezairi, 53 vjeç, është babai i të shumëkërkuarit për vrasjen e Aleksandër Bardhit. Ky i fundit është vrarë me armë zjarri në Shëndëlli të Sarandës, më 24 shtator të këtij viti.
Përpara ngjarjes së sotme, ka ndodhur edhe një tentative vrasjeje ndaj 53-vjeçarit, Xhezairi.
Më 30 tetor atij iu vu një bombë me telekomandë në makinë, por 53-vjeçari arriti ta kuptojë një fakt të tillë dhe njoftoi Policinë e cila më pas bëri çaktivizimin e saj.
Policia ka ngritur grupe të posaçme kontrolli për krehjen e zonës përreth me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkaq, gazeta “Panorama” ka bërë publike disa foto nga vendi ku u ekzekutua Agron Xhezairi.
Foto nga vendngjarja:
Mendohet se vrasja e sotme ka ndodhur për motive hakmarrjeje pikërisht për shkak të lidhjes me ngjarjen e disa muajve më parë, ku gjeti vdekjen Aleksandër Bardhi.
Si nisi gjithçka? Ngjarja e 24 shtatorit:
Policia e Sarandës ka dokumentuar gjithë ngjarjen e ndodhur në 24 shtator të këtij viti, ku mbeti i vrarë Aleksandër Bardhi, vëllai i ish-kreut të njësisë Administrative, të Kaçinarit.
Forcat policore kanë arrestuar autorët e vrasjes: Dhimitër Ciko, 20 vjeç, banues në Ksamil, i dënuar më parë për “Trafikim Narkotikësh” dhe Amarildo Lame 18 vjeç, po ashtu banues në Ksamil. Ndërkohë është shpallur në kërkim Albi Xhezairi, 20 vjeç, banues në Ksamil, i dënuar më parë për “Vjedhje”. Albi është djali i Agron Xhezairit, që u ekzekutua mbrëmjen e sotme.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Albi Xhezairi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 armë zjarri “Automatikmodel 56” si dhe 3 krehëra të mbushur me fishekë, të
cilat u dërguan për ekzaminime laboratorike.
Nga ekzaminimet laboratorike të këtyre armëve, ka rezultuar se kanë realizuar qitje në vendin e ngjarjes, ku u vra Aleksandër Bardhi.