Policia ka shoqëruar gjashtë persona si të dyshuar për krimin e ndodhur të dielën në fshatin Rukaj të Matit, ku mbeti i vrarë 60-vjeçari Hajredin Lleshi.
Ata janë të afërm dajat dhe familjarë të tjerë të emigrantit të vrarë disa vite më parë në Angli, Agim Hoxha.
Autori i dënuar për këtë krim është nipi i 60-vjeçarit të vrarë dy net më parë. Gjatë marrjes në pyetje nga Policia, mësohet se të dyshuarit kanë mohuar që të kenë lidhje me vrasjen, raporton Panorama.
“Nuk kemi lidhje me vrasjen. Nuk jemi ne autorët”, mësohet të kenë deklaruar në polici të shoqëruarit, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Sipas informacioneve autorët e vrasjes janë njohës të mirë të terrenit dhe ka gjasa të kenë pasur si bashkëpunëtorë persona që e njihnin mirë zonën dhe viktimën Hajredin Lleshi.
Po ashtu njoftohet se po hetohet në lidhje me makinën që u gjet e djegur pardje, pak kilometra larg banesës së familjes Lleshi në Rukaj. Gjatë ditës së djeshme, familjarët e viktimës nuk janë marrë në pyetje nga hetuesit e ngjarjes, pasi ata kanë pritur ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre.
Mësohet se ata u qëndrojnë dëshmive të para se kryefamiljari është thirrur nga dikush dhe sapo ka dalë në oborrin e shtëpisë, janë dëgjuar breshëri plumbash. Kur bashkëshortja dhe fëmijët kanë dalë për të parë çfarë kishte ndodhur, kanë gjetur 60-vjeçarin të pajetë.
Vrasja e emigrantit Agim Hoxha nga Macukulli vazhdon të sjellë viktima në familjen Lleshi. Dyshohet se vrasja e dy vëllezërve Lleshi e ka zanafillën pikërisht nga ngjarja e ndodhur në Angli.
Më 10 prill të vitit 2012, Arben Lleshi, në atë kohë 25 vjeç, djali i vëllait të viktimës së djeshme, Hajredin Lleshi, vrau Agim Hoxhën, 29 vjeç. Lleshi u kap nga policia italiane një muaj pas vrasjes dhe u dënua nga drejtësia në Angli me burgim të përjetshëm pas ekstradimit.
Viktima Agim Hoxha u gjet nga policia në makinën e tij, në ndenjësen e pasme, i vrarë. Policia angleze sqaroi se bëhej fjalë për grabitje, ku Hoxha kishte mbetur i vrarë dhe më pas makinës tip “Benz Mercedes” i është vënë flaka për të humbur gjurmët e krimit.
Të afërmit e Hoxhës kanë deklaruar se do të hakmerreshin për këtë vrasje. Më 12 tetor 2013, dyshohet se të afërm të Agim Hoxhës kanë vrarë Xhavit Lleshin, vëllain tjetër të viktimës së dy netëve më parë. Edhe atëherë Policia pati si pistë kryesore hakmarrjen ndaj familjes Lleshi, pas vrasjes së emigrantit Hoxha.
(M.D/Shuplaka)