Është zbardhur ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një lokal në lagjen “Ujë i Ftohtë” në Vlorë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri pas një konflikti të çastit humbi jetën një person dhe mbetën të plagosur tre të tjerë.
Një nga autorët e vrasjes është vënë në pranga si dhe janë shpallur në kërkim 2 persona të tjerë.
Pas një konflikti të çastit, në ambientet e një lokali në lagjen “Ujë i ftohtë”, është qëlluar me armë zjarri tip pistoletë dhe ka humbur jetën Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç, banues në Vlorë.
Gjithashtu, kanë mbetur të plagosur edhe 3 shtetas të tjerë:
1- F.H., 28 vjeç, ndodhet në Spitalin e Vlorës (punonte si muzikant).
2- A.L., 26 vjeçe, ndodhet në Spitalin e Vlorës (kliente në lokal).
3- A.Ll., 33 vjeç, ndodhet në Spitalin e Tiranës (punonte si kamarier në lokal).
Të tre gjenden në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Vlorës ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në një banesë në lagjen “Ujë i Ftohtë” pranë vendit të quajtur “7 pallatet” në orët e para të mëngjesit të sotëm (06:00) e shtetasit:
– Gani Tozaj, 19 vjeç, banues në fshatin Sevaster, Vlorë.
Gjithashtu Policia ka shpallur në kërkim shtetasit:
1- A.K., 37 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
2- E.S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Moskallëzim Krimi”.
Dyshohet se konflikti ka nisur ndërmjet viktimës dhe autorëve për motive të dobëta.
Në vendngjarje, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 1 armë zjarri Pistoletë të llojit “Revolver-Magnum”,
– 15 gëzhoja fishekësh.
Vazhdojnë hetimet me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të shpallur në kërkim.
(M.D/ Shuplaka)