Dy ditë pas vrasjes së shtatzënën 35-vjeçare, presidentja Vjosa Osmani, ka ftuar mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Në këtë takim, ku do të marrin pjesë të gjithë liderët institucionalë, sipas Osmanit, pritet të dilet me qëndrime konkrete për masat që duhen ndërmarrë për parandalimin e dukurisë së vrasjes së vajzave dhe grave në Kosovë.
Në një deklarim për RTK-në, Osmani ka thënë se si shtet dhe shoqëri, Kosova është para një sfide serioze. Sipas saj femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet.
Ajo ka thënë se pret nga institucionet që në këtë takim të shkojnë me listë të veprimeve konkrete që duhet të ndermirën për ta parandaluar vrasjen e grave.
“Shpresoj shumë që secili nga institucionet e Kosovës do të vijë me një listë veprimesh konkrete të cilat janë nën ombrellën e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe i cili do të mbikëqyrë zbatimin e tyre do të shtyhen përpara, duke kuptuar seriozitetin e kësaj situata jashtëzakonisht tronditëse për gjithë shoqërinë dhe shtetin tonë. Si shtet dhe shoqëri jemi para një sfide serioze, sepse femicidi urgjentisht duhet të ndalet dhe nuk duhet të tolerohet”, ka deklaruar Osmani.