Ka dalë para gjykatës për krimin e kryer në Bathore 21 vjeçari Mirald Metallari. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “arrest me burg” për Metallarin. Ai vrau babain dhe plagosi nënën në banesën e tyre në Bathore në datën 24 korrik.
“Jam penduar për krimin por nuk e kthej dot pas. I mora jetën babait, i mora shtyllën shtëpisë. E di që nëna nuk do ma falë por i kërkoj që të bëhet e fortë dhe të kujdeset për motrat.”, u shpreh para gjykatës 21-vjeçari.
Mbi të rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare (me viktimë babain e tij); “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, me të dëmtuar nënën e tij, si edhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Sjellim në vëmendje që kjo ngjarje e rëndë ndodhi pas një sherri banal mes tij dhe babait për ndërtimin e një muri në shtëpi. Pas zënkës me babain ai shkoi brenda në banesë, rrëmbeu armën e shërbimit të babait dhe gjuajti 6 herë mbi të, 3 prej plumbave zunë nënën e cila u fut në mesin e tyre. (J.V/Shuplaka)