Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar burgim të përjetshëm për David Qosjen, i cili akuzohet për vrasjen e efektivit të FNSH-së, Ardian Kodra.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, para rreth një viti David Qosja u denoncua nga banorët e Torovicës pas të shtënave me armë që dëgjoheshin nga banesa e tij.
Policia mbërriti në vendngjarje, përshkruajnë prokurorët dhe sapo mjeti blind është vendosur para hyrjes kryesore, Ardian Kodra u qëllua për vdekje. Por, i rrëfyer pas arrestimit, David Qosja dha dëshmi të paqarta dhe kontradiktore, fillimisht duke pohuar se dikush kishte dashur ta vriste dhe më pas se kishte qëlluar me armë zjarri sepse nuk pranonte që policia t’i hynte në shtëpi.
I riu jetonte vetëm në shtëpi pas largimit të anëtarëve të familjes jashtë vendit, ndërsa është përshkruar nga banorët si një person i mbyllur.
DETAJET:
Prokuroria për Krime të Rënda ka paraqitur para gjykatës dinamikën e ngjarjes. Sipas rindërtimit të fakteve rezulton se:
Mesditën e datës 02.09.2016, pranë shërbimit të Sallës Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë ka mbërritur një telefonatë nga një banor i fshatit Torovicë, i cili ka njoftuar se “..një fqinj i tij, i quajtur David QOSAJ, ka dalë nga banesa dhe ka qëlluar me automatik…”.
Duke vlerësuar informacionin, shërbimet e policisë të ndihmuar dhe nga kolegë të të FNSH Shkodër, janë pajisur me armatimin përkatës dhe me dy blinda janë nisur drejt Torovicës, ku fillimisht kanë marrë kontakt me dëshmitarin S.P., i cili u ka rikonfirmuar faktin e pretenduar në telefon, duke iu treguar njëkohësisht dhe banesën e shtetasit të dyshuar.
Duke parë tashmë më konkretisht situatën dhe rrezikshmërinë e ndërhyrjes për neutralizimin e objektivit është organizuar lëvizja më blinda ku blindi në të cilin udhëtonin dëshmitarët T.T , viktima Ardian Kodra drejtues mjeti, si dhe punonjësit e policisë, dëshmitarët e dëmtuar E. B. dhe V. T., ka lëvizur në drejtimin Veri–Jug, duke patur banesën në krahun e majtë.
Për shkak të terrenit, pranisë së shkurreve të larta në pjesën pranë banesës nuk sigurohej fushëpamje dhe shërbimet policore mund të ishin lehtësisht në objektivin e të pandehurit, ndaj është orientuar nga drejtuesit e operacionit që blindi të zhvendosej disa metra më në jug në një distancë më optimale ku dhe fushëpamja ishte më e plotë, duke mbuluar jo vetëm pjesën ballore të objektit, por prej aty mund të kontrolloheshin më mirë rrugëdaljet e mundshme nga banesa.
Pjese e planit operacional ishin lëvizjet e dëshmitarit T.T në drejtim të pjesës së pasme të objektit dhe e dëshmitarëve V.T dhe E.B., të pozicionuar në anën e djathtë të blindit të mbrojtur prej tij nga qitjet e të pandehurit, të cilat kanë qënë të herëpashershme por që gjithsesi ky i fundit tashmë ka qënë brënda fushëpamjes se shërbimeve policore.
Gjatë kryerjes së veprimeve të pozicionimit të trupave,s iç edhe u citua më lartë, nga banesa vazhdohej të qëllohej kryesisht drejtë pozicionit ku ndodhej blindi e ndërkohë dëshmitarët V.T dhe E.B kanë parë drejtuesin e blindit, viktimën Ardian KODRA i cili ka dalë dhe është pozicionuar thuajse përballë banesës, prapa një peme. Lëvizja e trupave të policisë dhe pozicionimi i tyre në pika nga ku objekti ishte tërësisht në kontrollin e tyre ka vënë në lëvizje të pandehurin, i cili tashmë ka shtuar intesitetin e gjuajtjeve drejtë blindit duke shkaktuar atij dëmtime.
Duke parë situatën,V.T. dhe kolegë të tjerë i kanë thënë viktimës që të largohej nga pema, por ai me armë në dorë ka thërritur disa herë emërin e të pandehurit, i cili tashmë ka ndjerë më afër rrezikun dhe ka qëlluar nga dritarja e katit të dytë të pjesës jugore të banesës me pushëpamje të plotë drejtë blindit dhe sakaq njëri prej plumbave ka goditur dhe Adrianin duke e lënë të vdekur në vend.
I pandehuri, duke parë intensifikimin e veprimeve nga ana e shërbimeve policore, si dhe duke qënë se nga qitjet ka marrë flakë kati i dytë i banesës së tij, duke i rrezikuar jetën e duke mos gjetur mundesi tjetër është hedhur nga banja për të kaluar më pas tek një parcelë me misër ku dhe ka tentuar të fshihej.
Duke qënë se tashmë ishte bërë dhe individualizimi i plotë i subjektit shërbimet policore kanë ngushtuar rrethimin duke i bërë thirrje të herëpashershme për tu dorëzuar dhe pas disa orësh është bërë e mundur jo vetëm kapja e tij,tek një parcel me misër por dhe sekuestrimi i armës automatik, me të cilen ai kishte qëlluar drejtë shërbimeve policore.
(E.K/SHUPLAKA)