Vrasja e Demirkë Mekollit në Pogradec pak ditë më parë, tronditi opinionin publik. Bashkëshorti i 49-vjeçares Bashkim Mekolli e goditi atë me sqepar pas koke, ndërkohë që ajo po lante enët.
Ditën e sotme, ka reaguar edhe mjeku i fshatit Blacë të Pogradecit, Festim Oshafi. Ai është shprehur ndryshe nga babai i Mekollit, duke thënë se ngjarja nuk ka ndodhur për shkak se Bashkimi kishte probleme të një karakteri mendor, por me alkolin.
“Personi në fjalë nuk ka pasur çrregullime të shëndetit mendor, por probleme të alkoolizimit. Bashkimi dhe familjarët e tij shpesh kanë kërkuar këshillimin tim profesional, dhe së fundi kanë kërkuar një rekomandim për t’iu drejtuar mjekut specialist, pasi ai konsumonte alkool së tepërmi dhe kishte kohë që kishte krijuar varësi”, u shpreh mjeku Festim Oshafi.
Problemet e Bashkim Mekollit me alkolin i kanë pranuar edhe familjarë të tjerë të tij. Zija Jesku, daja e autorit, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tha se Demirkë Mekolli ishte grua shumë e mire dhe punëtore, e cila mbante familjen me të ardhurat që siguronte nga mbledhja e bimëve medicinale.
“Ishte një zonjë grua dhe nënë shumë e mirë. Ishte grua që, përveç problemeve me burrin, duhej të mbante mbi supe edhe barrën e gjithë familjes dhe ekonominë. Demirka siguronte pak të ardhura nga mbledhja e bimëve medicinale dhe me to përpiqej të përballonte jetesën. Ajo disa herë ishte përpjekur që ta bindte edhe të shoqin të bënte të njëjtën punë, pasi kjo do u siguronte të ardhura, por ai kishte shkuar vetëm disa herë dhe pjesën tjetër të kohës ajo ngjitej në mal e vetme.”, tha daja.
Ndër të tjera ai është shprehur, “Demirka ka qenë duke larë enët në oborr kur është goditur me sqepar pas koke nga bashkëshorti agresiv. Unë e kisha nip, por e vërteta është kjo: ai shpesh e dhunonte atë dhe bëhej xheloz kot së koti.
Ajo ishte një grua kokulur, që i kishte dalë zot familjes, pasi Bashkimi nuk punonte. Demirka shkonte në mal që të mblidhte bimë medicinale, ndërsa nipi im ngrinte hipoteza që ajo e tradhtonte dhe vetëm grindej me të.” (D.D/Shuplaka)