Është gjetur i mbytur nga ana e Policisë 37-vjeçari Ardian Kuka, i cili gjatë ditës së djeshme qëlloi disa herë me thikë bashkëshorten e tij, Hazbie Kuka, duke i shkaktuar asaj vdekjen.
Ngjarja ndodhi në lagjen Spitallë të Durrësit, në prani të djalit 10-vjeçar të çiftit, i cili bëri të mundur dhe transportimin e nënës së tij drejt spitalit të Durrësit, edhe pse ajo nuk mundi që t’iu mbijetonte plagëve të marra.
37-vjeçari është gjetur sot në Sektorin Rinia, ndërsa pranë vendit ku u konstatua trupi, ka qenë dhe automjeti i tij, me të cilin u largua dje nga vendi ku qëlloi bashkëshorten e tij.
Sipas dëshmive të të afërmve, çifti ishte i qetë, dhe duket se shkak për këtë vrasje është bërë xhelozia e vazhdueshme që kishte Ardiani në drejtim të gruas së tij.
Pavarësisht se ajo kishte marrë urdhër mbrojtje nga Gjykata, kjo nuk e ka penguar 37-vjeçarin ta masakrojë Hazbijen me thikë, në sy të fëmijës të mitur, që nga sot do të jetë pa të dy prindërit.
Njoftimi i policisë:
Nga kërkimet e pandërprera të Policisë, orët e para të mëngjesit është gjetur i mbytur autori i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij, ndodhur ditën e djeshme.
Më datë 20.07.2019, rreth orës 07:30, në Sektorin Rinia, Durrës, është gjetur i mbytur shtetasi A.K.rreth 37 vjeç, banues në lagjen Nr.15, Durrës.
Pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe automjeti i këtij shtetasi më të cilin dyshohet se u largua pas kryerjes së krimit.
Ky shtetas dyshohet të jetë autori i vrasjes së bashkëshortes së tij ndodhur ditën e djeshme.
Grupi Hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
(E.K/Faxweb.al)