Seanca gjyqësore për caktimin e masës së adoleshentit, i cili dyshohet se vrau me thikë Martin Canin do të mbahet nesër në orën 9:30.
M.P. ndodhet në një spital privat pas plagëve që mori gjatë sherrit ku mbeti i vdekur bashkëmoshatari.
Sipas informacioneve, masa pritet t’i komunikohet në spital.
“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka deklaruar më parë i mituri pasi është pyetur nga policia.
Gjithçka është mbyllur aty për aty pa u bërë e madhe dhe pa thërritur në shkollë prindërit e të miturve të përfshirë në debat. Sipas dëshmisë së autorit, të dy kanë lajmëruar shokët dhe pas mësimi ka nisur edhe përleshja me grushte, në një rrugicë qorre vetëm 200 metra larg shkollës.
Cani thirri shokun e tij që luanin së bashku në skuadrën e U-15 me Dinamon, i cili ishte nxënës i shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” në Sauk. Edhe ai, futbollist, mbeti plagosur ndërkohë që edhe autori kishte marrë në ndihmë një shok të tij, nxënës i shkollës Fan Noli, por deri më tani ai nuk del i implikuar në ngjarje pasi roli i tij ka qenë vetëm për të ndarë palët.
Autori bashkëmoshatar, mori gjithashtu një plagë aksidentale në parakrah gjatë përleshjes. U largua me vrap drejt pazarit të ri, derisa të njohur të tij e çuan një makinë në një spital privat për mjekim. I mituri u arrestua në ambientet e spitalit për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Në rrjetet sociale reklamonte me trimëri edhe thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit. Ndërkohë, Cani ndërroi jetë në spitalin e Traumës dhe një ditë më parë u përcoll për në banesën e fundit.