Në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit, Policia e Shetit I ka dërguar ditën e sotme formularin për të deklaruar pasurinë brenda 47 oprëve Jani Aliajt, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Në bashkim të dënimeve Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme.
Më 10 Maj të 2018, Gjykata penale e Tiranës ka vendosur burg të përjetshëm për Jani Aliaj. Ai akuzohet për vrasjen e Elton Çiços në vitin 2016 në një nga lokalet e ish-bllokut.
Jani Aliaj u gjet fajtor për veprat penale “Vrasje me paramendim”, të kryer në bashkepunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, municionit luftarak, bombave apo minave”.
Konflikti mes Aliajt dhe Çiços ka qenë shumë i hershëm, gjatë kohës që ata kanë qenë në një burg në Greqi së bashku.
Në dosjen e Prokurorisë thuhej se gjatë qëndrimit në burg, Jani Aliaj ka rrahur për vdekje, një mik të Elton Çiços dhe më pas është konfliktuar me atë vetë.
Jani Aliaj, i veshur sportiv me kapele në kokë, sikurse përshkruhet në dosjen e organit të akuzës, ka hyrë në brendësi të një lokali të njohur në kryeqytet dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të Elton Çiços, i cili ndodhej në shoqërinë e oficerit Alban Trimi, mjekut Elton Rraja dhe një personi të tretë për të cilin thuhet se është gazetar i kronikës së zezë ndërsa ngjarja ka ndodhur më 1 Maj të vitit 2016.
Pak kohë më parë, Policia e Shtetit ka publikuar, listën e 12 personave më të kërkuar për qarkun e Gjirokastrës. Ajo që bie në sy është emri i të parit në këtë Top-krim të Jugut, Jani Aliaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, por ende i lirë.
Aliaj i cili ka lindur dhe është rritur në Tepelenë, konsiderohet si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptarë dhe drejtues i një organizate të strukturuar, e cila përveç të tjerave, si veprimtari kryesore ka kultivimin dhe trafikimin e drogës. Mbi Aliajn dhe grupin e tij kriminal rëndojnë akuzat për shumë vrasje, por më e bujshmja ishte ajo 1 Majit 2016, ekzekutimi i një tjetër eksponenti të fuqishëm të krimit Elton Çiço.
Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë dhe gazetarit, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.
Florenc Tresa është emri tjetër të cilit i ka mbërritur formulari dhe akuzohet se më 5 shkurt të vitit 2017 ka trafikuar nga porti i Durrësit drejt Ankonës në Itali 8193 kg kanabis dhe në datë 19 mars 2017 trafikuan 2270 kilogram kanabis me një vlerë prej 80 milionë euro, sekuestruar nga policia italiane. 39-vjeçari banues në është arrestuar më 16 Korrik të 2017. Arrestimi i tij është bërë pasi, Gjykata e Krimeve të Rënda, ka caktuar masën arrest me burg për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.
Tresa akuzohet se këtë vepër penale e ka bërë në bashkëpunim dhe për 24 punonjësit doganorë të pikës kufitare në Portin e Durrësit dhe Qafë Thanës mes të cilëve edhe punonjës të Policisë së Shtetit të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.
Lidhur me këtë çështje, pas arrestimit të 39-vjeçarit, policia thotë se materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për veprime të mëtejshme.
Katan (Sokrat) Baho, banues në Gjirokastër, është një tjetër personazh që ikërkohet justifikimi i pasurisë. Ai është është arrestuar nga autoritetet greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
Katan Baho, ose Sokrat Baho, i njohur si një biznesmen në qytetin e Gjirokastrës, por me një profil të ulët publik. Braho, ka në pronësi një servis në Gjirokastër, bar-kafe Center në qendër të qytetit, por edhe prona të tjera. Ai është arrestuar më herët në Greqi për trafik droge dhe kjo e ka kthyer në një subjekt të OFL.
Njoftimi i sotëM i OFL-së:
Në zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL vijon intensivisht punën për kryerjen e veprimeve komplekse, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit.
Në kuadër të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
– J. A., banues në Tepelenë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Përmet ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Vrasja me dashje në lidhje me një krim tjetër, mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu, ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja me paramendim” dhe me 4 vite për veprën “Armëmbajtja pa leje”. Në bashkim të dënimeve Gjykata e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprat penale të mësipërme.
– K. B, banues në Gjirokastër, i cili është arrestuar nga autoritetet greke, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.
– F. T., banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në bashkëpunim.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së, të cilat do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL bën me dije se të gjithë personat që iu është dërguar kërkesa me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, i kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar pranë OFL-së, e cila ka vijuar me procedurat, sipas përcaktimit në Aktin Normativ nr. 1, të datës 31 janar 2020.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)