Është zhvilluar sot në Gjykatën e Shkodrës seanca ku u dha masa e sigurisë “arrest me burg” për Fabian Vukaj, i cili vrau motrën e tij Diana Vukaj.
Dyshohet se Fabian Vukaj e kreu krimin në gjendje të dehur, pas një konflikti me të motrën për çështje parash. Edhe pse e kishte qëlluar Diana Vukajn për vdekje, ai vazhdonte të dilte lirisht në qytet, ndërsa krimi u zbulua vetëm pas alarmit të familjarëve në polici, se viktima nuk iu përgjigjej.
Diana Vukaj punonte dhe jetonte në Gjermani, ndërsa të premten e kaluar kishte ardhur në Shqipëri. Denoncimin në polici për zhdukjen e saj e bëri fillimisht mikesha e Dianës, e cila kishte humbur kontaktet.
Gjatë kontrolleve në banesë, ku u gjet e vdekur në krevat Diana Vukaj, u zbulua se ishte ekzekutuar me pistoletë silenciator dhe në ambientet rreth shtëpisë gjetën vëllain e dehur.
Mësohet se viktima do të blinte mobilje me vlerë 4 mijë euro, ndërsa ai nuk ishte dakord. “Mi jep mua lekët se i gjej unë”, mësohet t’i ketë thënë autori. Ky besohet të jetë motivi që nisi konfliktin në familje, që çoi më pas në ekzekutimin e Diana Vukajt.
(E.K/Faxweb.al)