Ka folur për herë të parë Dibran Hoxha, i njohur ndryshe me nofkën “Kobra”. Dibran Hoxha dyshohet për vrasjen e së martës në Prizren, ku Kobra, pronar i lokalit, qëlloi me armë zjarri 31-vjeçarin Visart Cengu dhe Rufgen Shehun.
31-vjeçari Visart Cengu ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit ndërsa Rufgen Shehu ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Motiv i këtij konflikti dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurove që stafi i lokalit kishte lëshuar për dy të rinjtë. Sipas informacioneve paraprake, sherri nisi pasi të rinjtë nuk pranuan të paguanin këtë shumë të të hollave.
“Kobra” tha sot përpara Gjykatës Themelore në Prizren, se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes në momentin kritik, por erdhi më pas, ngase dikush i kishte thënë se e kanë vrarë atë (Hoxhën).
Ai tha se pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Nexhat Elshani, ndërsa theksoi se i pandehuri Enver Amrallahu në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por i njëjti ka ardhë pasi është informuar nga dikush lidhur me ngjarjen, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha.