Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Millosh Plleskoviçin me 15 vjet burgim, nën akuzat për krime lufte në Kosovë.
Sipas aktakuzës, Plleskoviç bashkë me një grup serbësh të armatosur, i kanë vrarë tre civilë shqiptarë dhe i kanë plagosur disa të tjerë në qytetin e Prizrenit, raporton Betimi për Drejtësi, medium i specializuar raportime në fushën e drejtësisë.
Gjykatësi Rrahman Beqiri ka thënë të enjten se vendimi do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh ngë hyrja në fuqi e aktgjykimit. Plleskoviç veçse ka qenë nën masë të paraburgimit.
Sipas aktakuzës, Plleskoviç ka gjuajtur me armë të tipit ‘Kallashnikov’, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.
Mes tjerash në dokument është përmendur se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i merrnin trupat e viktimave pas një jave nga vrasja, dhe që trupat e R. dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F.B, nuk e kishte kokën në trup.
Avokati i viktimave, Gent Gjini, ka thënë pas aktgjykimit se vendimi i shqiptuar është shumë i ulët.
“Ky dënim është shumë pak në raport me masakrat. Zonjës ia kanë masakruar dy fëmijë binjakë. Ua kanë prerë gjymtyrët. Janë faktet. Gjykata e ka dënuar shumë pak me ligje të Jugosllavisë”, ka thënë ai para mediave.
Edhe Zyra për Kosovën në Qeverisë së Serbisë ka reaguar ndaj aktgjykimit kundër Pleskoviqit duke e përshkruar si vazhdimësi e “aktgjykimeve të pabazuara, drakoniane, të kundërligjshme dhe politike” dhe si “mesazh për të gjithë (të nacionalitetit serb) se nuk guxojnë të kthehen në vatrat e tyre”.
“Me këso aktgjykimesh, serbëve po u shkelen të drejtat themelore të njeriut, përfshirë edhe atë për një proces të rregullt gjyqësor, i cili është i garantuar edhe me konventa ndërkombëtare”, ka thënë kjo Zyrë përmes një komunikate për media.
Ajo u ka bërë sërish thirrje misioneve ndërkombëtare që, në përputhje me mandatin e tyre, “të sigurojnë respektimin e të drejtave themelore të serbëve dhe të parandalojnë çdo formë të përndjekjes së tyre fizike dhe institucionale”.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, janë ende të zhdukur. Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.