Nga Jeta Dedja
Kur i bërtisni dikujt në sy, ose e shani me fjalët më të ndyra, çfarë ndodh më pas? Ju çliroheni dhe tjetri ngarkohet e reagon. Dikush me të qara, dikush e kthen me të njëjtën monedhë, dikush reagon me indiferencë, një tjetër thjesht largohet. Ndoshta situata rëndohet dhe shkon drejt përplasjes fizike, përveç sherrit verbal banal. Por, ju në këtë rast e keni mundësinë ta shihni e të përjetoni pasojat që sjell një fjalë negative e thënë në drejtim të dikujt. Në fakt ndryshe ndodh në rrjetet ose mediat sociale. Kur dikush komenton negativisht, apo i adresohet me fjalë fyese dikujt që as nuk e ka mik në listën e tij, por thjesht e sheh në një foto apo e ka parë diku në video dhe i provokohen emocionet negative me shpërthime kraharori, gjuhe dhe gjymtyrësh, ai nuk ka mundësinë të shohë minimalisht as shprehjet faciale të tjetrit, dhe as të marrë përgjigjet.
Ai nuk e ka mundësinë të shohë efektin e “jo vetëm fjalës” së tij mbi objektin e zgjedhur për të shfryrë. I nderuar komentues që ndoshta mund të jesh duke sharë tani! Pavarësisht se çfarë ju shkakton një lajm, shkrim apo një fytyrë e padëshiruar, postimi i komenteve denigruese ndaj tij/saj nuk do t’ju çlirojë në terma afatgjatë nga zemërimi që ju pushton. Për momentin, disa miq mund t’ju rrahin shpatullat duke ju thënë bravo për guximin e madh për të sharë e fyer, e ju do ndjeni adrenalinën t’ju vërshojë. Zemra do të shpeshtojë rrahjet, frymëmarrja do të shtohet, tensioni dhe temperatura e trupit do të rriten, e ju vërtet mund të ndjeni çlirim, ekstazë, eksitim kur keni shfryrë, kur keni shkruar larë e palarë, nga A tek Zh për jetën e dikujt. Por, adrenalina është hormon me kohëzgjatje të shkurtër veprimi, efekti i mbaron. Ju pas kësaj do ndjeni më e pakta dhimbje të forta koke, ankth të vazhduar, depresion dhe e fundit fare ndonjë infarkt. Pra ju vetë, për shkak të komenteve frenetike negative do të pësoni më tepër gjendje të rënduar fizike dhe emocionale. Ai tjetri që ju shani, minimalisht i fut një mendje të lehtë dhe vazhdon jetën e tij, mirë apo keq. Ndërsa ju hyni në rrethin vicioz.
Vreri që nxirrni duke shkruar, ju çon drejt të menduarit negativ dhe mendimet negative ju bëjnë të ndiheni keq e të shpërtheni. Dhe shpërthimet tuaja do të kenë ndikim edhe ndaj njerëzve tuaj të dashur, jo vetëm ndaj burimit fillestar. Pastaj ju do të merrni inat e do të fajësoni veten për diçka që keni bërë ose një mosveprim në kohën e duhur, do urreni jetën tuaj bashkë me të tjerët që ju rrethojnë.
Reflektoni pak! Mendoni, çfarë do të ndodhte nëse mbi 1.8 bilion përdoruesit aktivë të facebookut do të ndërmerrnin nismën e sharjeve në rrjet kundër njëri-tjetrit? Ndoshta do të prodhohej një gjendje zemërimi, i cili do t’i përcillte trupit dhe trurit mesazhin “ik ose lufto”. Por gjasat kur ndodhesh i mbrojtur nga një kompjuter dhe kur nuk ke asnjë person real përballë janë të luftosh. Por kini parasysh se betejat ireale, si ato të Don Kishotit me mullinjte e erës përveçse qesharake do të ishin me pasoja për shëndetin mendor e fizik të gjithsecilit që përfshihet në këtë farë feje në rrjet.
Mos u çudisni fare kur mjekët nuk arrijnë dot të zbulojnë shkaqet e infarktit, sidomos tek një e re apo i ri në ditët e sotme. Janë helmet e përditshme që gjenerohen tinëzisht, nisur edhe vetëm nga një koment negativ, ndonjëherë i hedhur në sistem edhe kot, pa u menduar fare. Si për shembull, dikush lexon titullin provokues të një shkrimi dhe pa i shkuar deri në fund komenton negativisht autorin dhe jo përmbajtjen. Ky vrer i vjellë, përveç tëmthit e stomakut, ju dëmton edhe ndjesitë, receptorët e shijes në gjuhë, ju prish edhe humorin e ditës me diell.
Fatkeqësisht, shpeshherë ne i nënvlerësojmë efektet e diçkaje në dukje të vogël. “Gjithçka që më duhet është një copë letër e bardhë dhe diçka për të shkruar mbi të, dhe pas kësaj, mund ta kthej botën përmbys”- ka thënë Nietzsche. Bota e madhe mund edhe të mos kthehet përmbys por, ndoshta bota e dikujt mundet që po. Dhe të jeni të sigurt që ajo botë e përmbysur nuk do të tjetë e atij që i ka plasur cipa e i është bërë faqja shollë. Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë Kujdes me fjalën dhe ti zotëri – këshillon mençur Dritëroi ynë.