Presidentja Vjosa Osmani është shprehur pro zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të vendit.
Në një intervistë për Reuters, Osmani ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë, raporton Express.
Sipas Osmanit, peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.
“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo për Reuters.
Por, para shpalljes së zgjedhjeve, Osmani ka thënë Kosovës i nevojitet garanci nga ndërkombëtarët se Beogradi s’do të ndërhyjë.
Ajo e ka përshkruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si “burrë dramatik”.
“Vuçiq, në shumicën e takimeve të tij është goxha burrë dramatik. Prandaj, ai, natyrisht se ka tentuar të krijojë drama sërish, mirëpo nuk ka ofruar ide që mund të kontribuojnë në paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Osmani.
“Ai dëshiron të pretendojë se po bën koncesione të mëdha, që ai është nën presion të madhe, që po vuan, që është në rrezik, e gjëra të ngjashme. Mirëpo diçka e tillë nuk duhet të tolerohet pas moshës katërvjeçare”, ka përfunduar Osmani.