Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka ngarkuar një profesor mjekësie – që vështirë se njihet në arenën politike – për të formuar një qeveri të re – pasi vendi po përballet me një krizë për shkak të protestave masive kundër korrupsionit.
“Detyra e endokrinologut, Djuro Macut do të jetë të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin në Serbi duke treguar tolerancë”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp dje në Beograd. Udhëheqësi i mëparshëm, Milos Vucevic, njoftoi dorëheqjen e tij në janar nën presionin e protestave, një veprim që shihet gjerësisht si taktik.
Që nga shembja e tendës së stacionit në qytetin verior serb, Novi Sadi, që shkaktoi vdekjen e 16 personave, Serbia është kapluar nga një valë protestash që tani është përhapur në pjesë të mëdha të vendit – dhe e ka zhytur udhëheqjen e Vuçiç në një krizë të përmasave të paprecedentë.
Organizatorët e demonstratave, marshimeve dhe pushtimeve të universiteteve kanë fajësuar paaftësinë dhe korrupsionin në qeveri për tragjedinë në Novi Sad.
Ata po kërkojnë reforma sistematike për të eliminuar korrupsionin dhe keqmenaxhimin përmes shtetit të së drejtës. Vuçiç akuzoi sërish lëvizjen protestuese se po kontrollohet nga jashtë dhe se po kërkon një grusht shteti. Ai nuk ka paraqitur asnjë provë.
Ish-kryeministri Vuçeviç konsiderohej një ndjekës besnik i presidentit, i cili të gjitha vendimet e rëndësishme i merr vetë. Pasardhësi i caktuar Macut, i lindur në 1963, deri më tani është njohur vetëm si një mbështetës i hapur i Vuçiç. Sipas kushtetutës serbe, Macut ka afat deri më 18 prill për të formuar një qeveri të re dhe për ta miratuar atë nga parlamenti. Miratimi konsiderohet formalitet.