Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha sot se vendi i tij nuk do t’i bashkohet kurrë NATO-s apo ndonjë aleance tjetër ushtarake.
Ai foli me rastin e 18-vjetorit të fillimit të sulmeve ajrore të Aleancës perëndimore për frenimin e goditjes ushtarake serbe në Kosovë.
Vuçiç foli në një urë hekurudhore në jug të Serbisë, ku raketat e NATO-s goditën një tren udhëtarësh dhe ku u vranë të paktën 28 persona. Në Serbi, ndjenjat kundër NATO vazhdojnë të jenë të forta që nga bombardimi 78-ditor i Aleancës në vitin 1999, për të ndalur fushatën e përgjakshme të forcave serbe kundër shqiptarëve të Kosovës.
Edhe pse kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka rritur bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, e cila ka rënë dakord të ofrojë aeroplanë luftarakë, tanke dhe sisteme anti-ajrore.
Presidenti në largim i Serbisë, Tomislav Nikoliç ka shfaqur shpresën se, në bisedimet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian të mos ketë kushte shtesë, të cilat Serbia nuk mund t’i përmbushë, siç është njohja e Pavarësisë së Kosovës.
“Serbia po punon aktivisht në përmbushjen e kushteve që të bëhet anëtare e plotë dhe bisedon me Prishtinën për normalizimin e raporteve. Nuk e di nëse do të ketë kushte shtesë dhe shpresoj se nuk do të ketë kushte, të cilat nuk mund t’i përmbushim, e kjo është njohja e Kosovës”, ka thënë Nikoliç.
(M.D/ Shuplaka)