Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë takimit të saj me 12 prefektët e sapoemëruar në vend, kërkoi një planifikim të qartë masash për parandalimin dhe për menaxhimin e Emergjencave Civile.
“Masat e marra gjatë emergjencave civile kanë impakt direkt në jetën e komunitetit. Për mangësitë e konstatuara në udhëzime apo akte të tjera, do vlerësoja maksimalisht, kontributin tuaj të mirëkoordinuar, me qëllim përmirësimin dhe lehtësimin e punës për çdo hallkë që është pjesë e Emergjencave Civile. Por në rastet e emergjencës, besoj se çdonjëri prej nesh do e kishte të vështirë të mbështetej tek mangësitë, për të evituar zgjidhjen e situatës.
Pra, prioriteti ynë kryesor, është garancia për komunitetin në çdo qytet, fshat, komunë, që ne jemi prezent me plane të koordinuar mirë dhe me kapacitetet e nevojshme që garantojnë zgjidhje në raste emergjencash. Në raste emergjencash dhe ngjarjesh të jashtëzakonshme, zyra juaj duhet të jetë terreni, sikurse kompetenca juaj është ndjekja e Planit të Veprimit hap pas hapi”,iu drejtua ajo prefektëve të rinj. (J.V/Faxweb)