Pas shifrave të publikuara nga Policia shqiptare në Bashkëpunim me Guardia di Finanzan italiane, për kultivimin e hashashit në vendin tonë, kanë reaguar njëri pas tjetrit ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe pasardhësi i tij Sandër Llleshaj.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Xhafaj shprehet se ky raport tregon se pas 25 vitesh vendi ynë nuk është më vend origjine i prodhimit e trafikimit të kanabisit, e për këtë ai ndihet krenar për rezultatet e arritura.
Po ashtu teksa falënderon të gjithë bashkëpunëtorët e tij, Xhafaj sulmon opozitën, ndërsa shprehet: “TURP i madh për ata që për vite të tëra i dhanë vendit një imazh negativ, rinisë modelin e keq e krimit të organizuar pushtet e fuqi financiare! Nëse s’kërkojnë dot falje të paktën të heshtin! Përçmim për të gjithë ata që kanë hedhur baltë mbi përpjekjet tona në këtë betejë! “
“1.Një Shqipëri pa kanabis!Prezantimi sot publikisht(më mirë vonë se kurrë!) i rezultateve antikanabis ’18, konfirmimi më i mirë i realitetit historik:Pas 25 vitesh, s’jemi më vend origjine i prodhimit e trafikimit të kanabisit!Krenar për çfarë bëmë,ndër të tjera, në këto vite!
2. Me të njëjtët policë, buxhet, mjete, asistencë, në të njëjtin territor ndryshuam një realitet e krijuam model të krahasueshëm me Evropën!Fuqia e vlera qëndron te njerëzit, reformat e mëdha që PS ideoi e udhëheq për të ndërtuar shtet e drejtësi në vend!
3.Krenar për rezultatet e antitrafikimit në 2018. 80% ulje e trafikut me vendin fqinj krahasuar me 2017.Luftë pa kompromis e rezultate të shkëlqyera ndaj gr. kriminale.Shifrat, kokëforta, flasin vet! Fjalët sado të bukura i merr era.Forca e Ligjit në veprim e mbi të gjithë!
4. Respekt dhe mirënjohje pafund bashkëpunëtorëve të mi, sakrificës së policëve të thjeshtë në territor dhe veçanërisht ekipit drejtues të Policisë së Shtetit! Njerëz që e duan vendin e tyre, të ardhmen e tij!
5.TURP i madh për ata që për vite të tëra i dhanë vendit një imazh negativ, rinisë modelin e keq e krimit të organizuar pushtet e fuqi financiare!Nëse s’kërkojnë dot falje të paktën të heshtin! Përçmim për të gjithë ata që kanë hedhur baltë mbi përpjekjet tona në këtë betejë! “, – shtprehet Xhafaj.
Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit aktual Sandër Lleshaj, i cili të gjithë suksesin duket se e kornizon vetëm në vitin 2018, ndryshe nga Xhafaj, i cili e shtrin ndërvite.
“Për një Shqiperi pa kanabis.
Konfirmohen rezultatet inkurajuese dhe historike në luftën kundër kanabisit për vitin 2018.
Mirënjohje për #Policinë e Shtetit, #Guardia di Finanza dhe #Bashkimin Europian ??????”, – shkruan Lleshaj në Twitter.
Kujtojmë se, Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF kanë publikuar raportin me shifrat e kultivimit dhe sekuestrimit për vitin 2018. Në total për vitin 2018, nga monitorimet ajrore, janë identifikuar 27 parcela me 675 bimë narkotike canabis sativa ose 4.642 bimë më pak se në vitin 2017.
Në vitin 2018 janë kultivuar vetëm 0.8 ha nga rreth 2 ha që ka qenë në 2017. Në 2016 ishin 213 ha dhe ne 2013 ishin 323 ha. Në vitin 2018 ka pasur 40% më shumë fluturime se në vitin 2017. Janë kryer gjithsej 69 misione fluturime monitorime ajrore me 187 orë e 42 minuta fluturimi, ose 43 orw e 26 minuta më shumë se në vitin 2017. Në skaner kanë kaluar 733 mijë hektarë të territorit shqiptar në 2018, nga 683 mijë që u kontrolluan në vitin 2017.
Gjithashtu nga zyrtarët italianë u theksua se në vitin 2018 trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë ra me 81%, nga 34.7 ton kanabis që u sekuestruan në Itali në vitin 2017, në 2018 u sekuestruan vetem 6.6 ton. Zyrtarët italianë në bashkëpunim me policinë shqiptare deklaruan se pas pastrimit të territorit nga kanabisi, tani do të vijojë goditja e grupeve kriminale me skuadrat e përbashkëta hetimore, si në rastin e fundit, ‘Lulet e Pranverës’, që u finalizua dje.
Discussion about this post