Kreu i opozitës Lulzim Basha i është përgjigjur kërkesës së ministrit Fatmir Xhafaj për Prokurorinë, që të marrë në pyetje atë dhe Sali Berishën.
Basha tha se kjo kërkesë e bërë nga Xhafaj është e dënueshme dhe tregon se Prokuroria është e kapur de fakto nga qeveria.
‘’Kjo deklaratë, kjo letër është një akt i dënueshëm nga ana e Fatmir Xhafajt dhe fakton de fakto kontrollin që ai ka mbi Prokurorinë. Informacioni më i vlefshëm që unë mund ti japë prokurorisë është që të ndjek gjurmët e Olsi Ramës dhe Agron Xhafajt”, u shpreh Basha shkurtimisht.
Më herët në një letër drejtuar Prokurorisë Xhafaj shprehej: Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i kërkon drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmata, të thërrasë kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe deputetin Sali Berisha, si persona që kanë dijeni lidhur me poseduesit e ngarkesës prej 613 kg kokainë në Durrës. Përmes një letre, ministri thotë se “dy deputetët duhen thirrur pasi kanë bërë deklarata publike se kanë dijeni se kush e zhvillon trafikun e drogës në vend dhe veçanërisht për faktet që kanë të bëjnë me poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kg kokainë”.
Në shkresën e drejtuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ministri Xhafaj thekson se “nga këto deklarime publike bie veçanërisht në sy fakti se nga zoti Sali Berisha dhe zoti Lulzim Basha pretendohet qartë që ata kanë dijeni për fakte konkrete lidhur me klanet e trafikut të drogës në Shqipëri. Po sipas këtyre deklarimeve publike, rezulton se të dy këta persona kanë veçanërisht dijeni mbi poseduesit dhe përfituesit e sasisë prej 613 kilogram kokainë të sekuestruar së fundmi në Portin e Durrësit”.
Ministri i Brendshëm nënvizon se është detyrim kushtetues i Berishës dhe Bashës t’i paraqesin Prokurorisë së Krimeve të Rënda faktet dhe provat që disponojnë. “Ndërkohë unë njoh dhe respektoj faktin se zyra që ju drejtoni është organi kompetent që Kushtetuta dhe ligji e ngarkojnë të marrë dhe të vlerësojë ligjërisht deklarimet e këtyre zotërinjve dhe vërtetësinë e tyre, ndaj është përgjegjësia juaj institucionale dhe detyrimi kushtetues e ligjor i zotit Sali Berisha dhe i zotit Lulzim Basha që t’i paraqesin organit që ju drejtoni, faktet dhe provat mbi trafikun e drogës në Shqipëri, që ata pretendojnë në deklarimet e tyre publike”, thekson Xhafaj. Në fund të letrës ministri shpreh gjithë mbështetjen institucionale të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për Prokurorinë e Krimeve të Rënda si dhe shprehet besimplotë tek puna dhe rezultatet hetimeve për çështjet e trafikut të drogës, përfshi këtu edhe çështjen e sekuestrimit të 613 kilogramëve kokainë në Durrës.”
(E.K/FAXWEB)
Discussion about this post