Granit Xhaka po kthehet në një protagonist për mediat angleze për të gjitha arsyet e gabuara. Falë kartonit të kuq të marrë këtë fundjavë ndaj Bërnlit, ai u bë futbollisti më i ndëshkuar në 5 kampionatet kryesore në dy vitet e fundit.
Të hënën në darkë, mesfushori zviceran ka rregjistruar edhe një ’bëmë’ tjetër, madje më të rëndë se herët e tjera.
Sipas mediave angleze, Xhaka këtë herë ka fyer një punonjëse të aeroportit në Hithrou të Londrës, të cilës i është drejtuar me fjalët “ k… e bardhë” në gjuhën gjermane.
Ky incident ka ndodhur pasi personi që po shoqëronte Xhaka, Leonard Lekaj, një kushëri i të fejuarës së tij, Leonitës, nuk është lejuar që të hipte një avion.
Sipas “ The Independent”, një dëshmitar ka dëgjuar se si Xhaka e ka fyer shumë rëndë punonjësen e aeroportit, përpara se të ndërhynin policia dhe punonjësit e sigurisë.
Gjithçka ka ndodhur si pasojë e vonesës së Lekajt në aeroport, të cilit punonjësit e “check-in” i kishin njoftuar se e kishte humbur avionin.
Kosovari ka përfunduar në komisariatin e policisë pas kësaj ngjarjeje, për të dhënë versionin e tij për atë çfarë ka ndodhur.
“Asistenca e policisë u kërkua në orën 19:45 të hënën, më 23 janar, pas aludimeve se një pjesëtar stafi ishte fyer mbi baza racore në terminalin 5 të aeroportit të Hithrou. Ky aludim u bë nga një palë e tretë. Polica bashkëbisedoi me një djalë në të 20-tat i cili nuk u arrestua. Ai vullnetarisht shkoi në një komisariat policie në Londrën Perëndimore ku u mor në pyetje. Hetimet vazhdojnë”, ishte njoftimi i policisë angleze rreth kësaj ngjarjeje. (K.P/Shuplaka)