Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë pezulloi nga detyra punonjësin e Policisë, Inspektor Gjergji Gjorgji, me detyrë Ndihmës specialist kontrollor në SPKM Pustec.
Ndaj tij, zyra e SHÇBA së Korçës kishte marrë një kallëzim nga shtetasi I.T. për ushtrim dhune psikologjike dhe fizike. Nga veprimet e para hetimore është konkluduar se ka patur një konflikt fizik mes punonjësit të Policisë dhe kallëzuesit, por në momentin e konfliktit punonjësi i policisë nuk ka qenë në detyrë apo shërbim.
Konflikti fizik dyshohet se është provokuar nga motive të dobëta.
Bëhet fjalë për 59-vjeçarin nga Korça, Ilir Terolli, i cili në një prononcim për Shuplaka.com, u shpreh se gjithçka nisi nga xhelozia e policit pasi Terolli i kishte paguar bashkëshortes së tij kafenë.
”Disa ditë më pas u takova rastësisht me policin Gjorgji, të cilin e njihja prej pesëmbëdhjetë vjetësh. U habita kur m’u drejtua sikur unë paskam dashur të bëhesha ” hamshori” i gruas së tij. Më pas më goditi me grusht në sy, më shtriu përtokë dhe me këpucë më godiste në fytyrë. Rashë pa ndjenja dhe u zgjova në spital. Hundën e kisha të thyer, kisha plagë, por më kryesorja është se kam humbur gjysmën e shikimit të njërit sy”, u shpreh Terolli për Portalin Shuplaka.com.
http://faxnews.wpengine.com/i-paguan-kafen-gruas-se-policit-kufitar-ky-i-fundit-e-dhunon-fizikisht-deshmia/