Deputeti socialist Xhemal Qefalia ka folur me skype për Fax News për një sërë temash që kanë lidhje me situatën në të cilën ndodhet vendi ynë, ndërsa në nisje të bisedës ka komentuar zhvillimet politike e kryesisht ndryshimet kushtetuese dhe klima që kanë krijuar.
Qefalia tha se mazhoranca e ka përfshirë opozitën jashtëparlamentare në procesin e reformës zgjedhore si dhe në sjelljen e propozimeve për ndryshimet kushtetuese, ndërsa pohoi se nëse ajo do të tregojë mungesë vullneti apo interesi, Kuvendi është legjitim dhe mund të kalojnë aktet e parashikuara si hapja e listave edhe pa të.
“Pavarësisht kësaj, deputeti ka shprehur bindjen e tij se në fund opozita do të bëhet pjesë e procesit, duke kujtuar se si PD ashtu edhe PS e kanë kërkuar hapjen e listave, ndërsa për çfarë mënyre do të ndiqet, ai sugjeroi një model të ndonjë vendi europian.
“Dihet që në fund fare Kuvendi i Shqipërisë gëzon të gjitha të drejtat, i ka të përcaktuara në rregulloren e brendshme për të ndërmarrë nisma për aq kohë sa opozita parlamentare ka menduar të marrë pjesë vetëm në Këshillin Politik dhe ta shmangë parlamentin. Nuk është ndërhyrje e dhunshme në Kushtetutë por në zbatim të praktikave të përcaktuara për ndërhyrje të tilla. Nuk është se ka kontestime të dukshme, pasi gjithçka do të përfshihet në kodin Zgjedhor dhe do të merren edhe propozimet e opozitës pavarësisht se e ka braktisur parlamentin.
PD dhe PS kanë qenë për lista të hapura dhe është pozitive, për aq kohë sa gjërat do përcaktohen në Kodin Zgjedhor më duket e nxituar nga opozita jashtëparlamentare, jam i bindur se gjithçka do të jetë konform edhe dakordësisë për t’u bërë edhe listat e hapura. Nëse ka një model të një shteti europian që është në këtë model, pse jo mund të dakordësohemi.”, tha Qefalia.
Sipas socialistit, marrëveshja e 5 Qershorit ka kaluar në Parlament dhe po shkon drejt implementimin pa asnjë ndryshim ndërsa e konsideron opozitën si të nxituar në vendimet e saj përjashtuese theksoi deputeti.
“Marrëveshja e 5 Qershorit ka kaluar e gjitha siç është rënë dakord në KP nuk është se është ndërhyrë. Edhe vetë opozita jashtëparlamentare e pranon se është nxituar me daljen nga parlamenti, e ka thënë edhe presidenti disa herë. Ne e ftuam dhe e bëmë pjesë të KP. Kjo marrëveshje e 5 Qershorit është ndërmjetësuar nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë pa asnjë ndërhyrje në Kuvendin e Shqipërisë”.
Për deputetët e infektuar me Covid-19, ai tha se askush nuk është imun, duke ju uruar me këtë rast edhe shërim të shpejtë, ndërsa ka injoruar akuzat.
“Edhe deputetët nuk janë imun ndaj Covid-it, edhe ju gazetarët besoj se nuk jeni imun. Janë akuza të pabaza për aq kohë sa nuk janë provuar. Është pak e rëndësishme, me këtë rast uroj ta kalojë sa më lehtë virusin Ralf Gjoni e kolegë të tjerë por edhe gjithë shtetasit që po luftojnë me këtë plagë kaq të madhe”.
Deklaratat e sotme të opozitës ku ndarjen gjeografike të vendit në 4 rajone, apo siç e quan opozita e bashkuar “Vilajete”, Qefalia tha se kështu kanë akuzuar edhe për ndarjen e re administrative.
“Rruga e bojkotit dhe sjelljet e opozitës nuk lë ndonjë përshtypje pozitive. Për aq kohë sa janë 12 qarqe është menduar për të pasur një mirë-administrim. Nuk jemi një shtet aq i madh sa të ndahemi në 12 qarqe. Edhe numri i 61 bashkive me akuzat që u shoqëruan mu dukën pa sens. Si deputet i Tiranës shikoj se bashkia me ndarjen e re territoriale që opozita i bojkoton dhe akuzon pas bojkotin, Bashkia ka investuar në zona shumë larg kryeqytetit, ku për vite të tëra nuk ka pasur, si në Krrabë, Zall-Bastar, Krrabë etj”.
Deputeti socialist pranon se vendi është në krizë ekonomike, ndërsa vlerëson se më e rëndësishme është shëndeti dhe jeta e qytetarëve.
“Mendoj që patjetër që ky bllokim, në sektorët që i kemi fitimprurës si turizmi, që kanë sjellë një stopim, patjetër që do sjellë një bllokim të ekonomisë, por më e rëndësishme se kaq është të mos humbasim jetë njerëzish. Ekonomia është shumë e rëndësishme, por mund ta marrë sërish veten”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post