Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi Xhevahir Spahiun në ditëlindjen e tij të 75-të me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Nderimi i Spahiut është bërë me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”.
Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë, në ceremoninë solemne të organizuar në Institucionin e Kreut të Shtetit, mes të cilëve ishin Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, akademikë, artistë, poetë, shkrimtarë, muzikantë, kompozitorë, gazetarë dhe politikanë, Presidenti Meta nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e njërit prej figurave më të spikatura jo vetëm të poezisë shqipe, por edhe të jetës artistike dhe sociale.
“Xhevahir Spahiu – xhevahiri i letërsisë shqipe. Ceremonia e sotme është e veçantë dhe shumë emocionuese edhe për mua personalisht, si President i Republikës, por edhe si lexues i vëmendshëm e gjithnjë i dedikuar, edhe si mik i Xhevahir Spahiut, i Xhevos tonë, siç jemi mësuar t’i drejtohemi të gjithë ne, miqtë, dhe familja e tij.
Të tillë këtë ceremoni e bën emri dhe vepra e Xhevahir Spahiut, pazgjidhshmërisht të lidhura e të bëra një, e tipikisht të spikatura në botën e letrave shqiptare, përmes një individualiteti të konturuar si i tillë qysh prej fillimeve, e të përveçuar qartë e bindshëm përmes krijimtarisë së tij të pasur, të larmishme e të veçantë si vetë jeta e poetit.
Xhevahir Spahiu është një prej atyre emrave që i bën nder çdo epoke, çdo gjuhe, çdo letërsie.
Ai bëri emër në një kohë të vështirë. Xhevahiri ka jetuar si qytetar i denjë i këtij vendi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit. Ai bashkoi në artin e tij protestën e të indinjuarit, frymëzimin e novatorit, mirësitë naimiane.
Kur të bëhet një histori e vërtetë e publicistikës shqiptare, Xhevahir Spahiu do të jetë në krye të vendit si reporter, prej të cilit gazetarët e sotëm të Shqipërisë, që e kapërcejnë Unazën e Tiranës vetëm kur ka zgjedhje, do të ndihen kokëulur.
Kur të shkruhet një histori e poezisë militante, por jo për motive ideologjike: nje poezi militante si e Migjenit, prapë Xhevahir Spahiu do të jetë në vendin e nderit.
Kur të kemi një histori të dukurive letrare që ndodhën në vitet 1970, sërish Xhevahiri ynë, Xhevahiri i letërsisë shqipe, do të jetë një emër i pazëvendësueshëm.
Tek Xhevahir Spahiu, tek poezia e tij, janë shartuar Jugu e Veriu, Malindi dhe Skrapari e po aq edhe Vlora e Kosova, deti e Bjeshkët e Namura, Naimi e Migjeni, vargu i popullit e këngët e Demir Zykos dhe teknikat e Zhak Preverit, intuita dhe leximi, gjuha e vendlindjes, vetëdija e metropolit, dashuria për njeriun dhe krenaria kombëtare.
Kryelartë Xhevahir Spahiu, sfidat i pranoi si sfida dhe dorashkën e hodhi duke qenë gjithnjë sfidant i kohës së vet.
Poeti që guxoi të shtjerë në dritë të vetëtimës; poeti që guxoi të ecë në teh të briskut, poeti që nuk njohu kurrë lajka, mite dhe mbase as perëndi, sot merr një nderim që rrallëkush si ai e meriton.
‘Dil sa pa rënë nata e gjatë,
Sa pa të marrë harrimi osh,
Në këtë botë të pamatë,
Të rrosh, përkthehet të luftosh!’ – shkruan Xhevahir Spahiu në njërën prej poezive të veta. Ai ia ka dalë të luftojë e të fitojë, duke qenë ndër ne një model e një referencë fitimtari e krenarie! Faleminderit për gjithçka Xhevahir Spahiu! Nderim, mirënjohje dhe jetë të gjatë xhevahir i përjetshëm në panteonin e kulturës sonë kombëtare!” – u shpreh Presidenti i Republikës.