Gjykata e Lartë është në kolaps. Këtë ka nënkuptuar kryetari i gjykatës, Xhezair Zaganjori, i cili prej kohësh ka ngritur disa problematika që shqetësojnë gjyqësorin.
Numër i reduktuar gjyqtarësh dhe këshilltarësh ligjorë deri në pamundësi për plotësimin e trupit gjyqësor dhe çështje që akumulohen çdo ditë për shqyrtim. Po si e sheh kreu i Gjykatës së Lartë situatën, ndikimin e politikës në sistem…
Në intervistën për “Gazeta Shqiptare”, Xhezair Zaganjori shpjegon të gjitha detajet se si mund të shpëtojë sistemi i drejtësisë nga “prangat”.
Zaganjori, prej disa kohësh Gjykata e Lartë funksionon me vetëm nëntë anëtarë. Cilat janë problematikat e hasura dhe pasojat që sjellin në dëm të qytetarëve?
Më lejoni para së gjithash t’ju uroj Gëzuar Vitin e Ri, ju dhe lexuesve tuaj dhe t’ju falënderoj për intervistën e për gatishmërinë që keni për të bërë të njohur problematikën me të cilën përballet aktualisht Gjykata e Lartë, në këtë fillim viti!
Në fakt, për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht për Gjykatën e Lartë, zgjatja tej çdo lloj parashikimi e reformës në drejtësi, ka shkaktuar një sërë problemesh që kanë të bëjnë kryesisht me zvarritjet e gjykimeve, rritjen e backlog-ut dhe cenimin apo dëmtimin e efikasitetit të sistemit.
Kjo situatë është përkeqësuar veçanërisht vitin e fundit, me zvogëlimin e ndjeshëm të numrit të gjyqtarëve dhe këshilltarëve në Gjykatën e Lartë.
E kam bërë të ditur disa herë këtë gjendje të pazakontë, e cila dëmton në radhë të parë, e mbi të gjitha, interesat e qytetarëve. Praktikisht nga 19 gjyqtarë, aktualisht jemi 9, pra nga tre për çdo kolegj, në një kohë që shumica e gjykimeve për çdo kolegj duhet bërë më 5 gjyqtarë.
Ndërsa numri i këshilltarëve ligjorë është reduktuar nga 34 në 10. Në këtë situate, kam orientuar kolegjet që të përqendrohen në një kategori të caktuar çështjesh që kanë natyrë më sensitive. Si të tilla mund të përmend çështjet e masave të sigurisë në gjykimin penal, pensionet ushqimore dhe ato të pleqërisë, konfliktet e punës, çështjet e ardhura rishtazi nga Gjykata Kushtetuese, etj.
Duhet të theksoj, gjithashtu, se ju kam kërkuar të gjithë gjyqtarëve, që në zbatim të urdhrit mbi kriteret e përshpejtimit të çështjeve, të kenë parasysh veçanërisht shqyrtimin me përparësi të atyre çështjeve për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të gjykatave të apelit.
Kjo është posaçërisht e domosdoshme ne gjykimin administrative dhe atë civil. Nga ana tjetër, janë marrë masa administrative për plotësimin e kolegjeve me gjyqtarë të gatshëm, përmes një skeme gatishmërie, e cila ndihmon në plotësimin e trupave gjyqësore, për çdo ditë gjykimi.
Edhe vetë personalisht, pavarësisht ngarkesave për shkak të funksionit, kam qenë i pranishëm në mënyrë të vazhdueshme në gjykime të cilat ligjërisht kërkojnë shqyrtim sa më të shpejtë.
Më këtë rast dua të them se, veçanërisht dy muajt e fundit më është dashur të drejtoj seanca edhe në gjykime të çështjeve penale me ndjeshmëri të lartë, për shkak të nevojës së respektimit të parimit të gjykimit të paanshëm. Janë çështje të shqyrtuara disa herë në Gjykatën e Lartë, e në këto kushte, është pothuajse e pamundur plotësimi i trupës gjyqësore.
Çështjet që presin radhën për të gjykuar kapin një numër rekord. Në gjuhën e shifrave, mund të na thoni sa është stoku?
Sigurisht që në kushtet e këtyre mungesave, rritet edhe numri i çështjeve që presin të shqyrtohen. Problemi i numrave është i thjeshtë. Me gjithë këto probleme e mungesa, ritmet individuale të gjykimit për çdo gjyqtar, kanë mbetur relativisht të larta, varësisht edhe vullnetit të vetë gjyqtarit respektiv. Këtë vit janë gjykuar rreth 4000 çështje, që nuk janë pak.
Megjithatë, numri i çështjeve të ardhura shtohet çdo ditë. Aktualisht, numri i çështjeve arrin në 22.500, të ndara përafërsisht në; 14.000 dosje civile, 6000 dosje administrative dhe 2500 penale.
Në çfarë ambientesh i arkivoni dosjet e prapambetura, që presin radhën për shqyrtim?
Kjo është një histori më vete. Shqetësimi kryesor i këtyre ditëve ka qenë gjetja e hapësirave dhe sistemimi i dosjeve të ardhura, pasi mungojnë ambientet e nevojshme. Në këtë gjykatë punon një kolektiv prej rreth 120 vetash, në një ambient që normalisht mund të punonin jo më shumë se 50 vetë.
Nga ana tjetër, mungojnë hapësira apo dhoma të mjaftueshme për të vendosur dosjet gjyqësore, të cilat shpesh janë edhe shumë voluminoze, veçanërisht ato penale apo civile. Pesha e tyre rrezikon edhe sigurinë e godinës. Për këtë arsye kemi spostuar një pjesë të mirë të tyre nga katet e sipërme në katin përdhes, duke zhvendosur njëkohësisht disa nga zyrat që kryejnë shërbime ndaj publikut.
Pranë Gjykatës së Lartë ka çështje me interes të lartë publik, që presin të gjykohen, siç është rasti i Gentian Dodës, si po procedoni me këto dosje, për shkak të mosformimit të kolegjeve?
Nuk dua të përmend çështje konkrete. Por, sikurse e theksova edhe më sipër, veçanërisht në gjykimin penal, ka vështirësi të shumta për shkak të mosformimit të trupës gjyqësore, për çështje të caktuara, kryesisht atyre që vijnë në Gjykatën e Lartë për herë të dytë ose të tretë. Pikërisht për këtë arsye, kam marrë pjesë edhe vetë në një pjesë të mirë të këtyre gjykimeve.
Në ndonjë rast lind nevoja e pritjes së gjyqtarëve të rinj për trajtimin e tyre.
Si jurist me përvojë, mendoni se ka zgjidhje kjo situatë ngërçi? Çfarë sugjeroni?
Ne përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur me aq sa kemi në dorë. Ngërçi besoj që do të zgjidhet me krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja, në përputhje me risitë që sjellin ndryshimet kushtetuese e ligjore.
Në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë, a keni bashkërenduar me institucionet e tjera, për të zgjidhur kolapsin?
Jemi përpjekur të jemi sa më bashkëpunues. Unë, së bashku me stafin tim të ngushtë, përfshirë këshilltarët dhe një pjesë e ndihmësve ligjorë, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm, për të përcjellë shqetësimet dhe propozimet për zgjidhje, për probleme konkrete.
Por, një sërë ngërçesh apo problemesh krijohen si pasojë e ndryshimeve kushtetuese e ligjore, të cilat duhet thënë që nuk kanë qenë të pakta. Gjithsesi ne jemi përpjekur të komunikojmë veçanërisht me ekspertët e EURALIUS, të cilët dua t’i falënderoj për gatishmërinë që kanë pasur në vijimësi për trajtimin e situatave problematike.
Zaganjori, flitet shumë për korrupsionin në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sipas jush a do ta zhdukë reforma në drejtësi këtë fenomen negativ?
Uroj dhe shpresoj që të gjenden rrugët dhe mjetet për ta luftuar në vijimësi këtë fenomen. Mekanizmat e rinj mund dhe duhet të japin rezultatet e tyre, por mendoj se një nga mjetet më efektive në të ardhmen, duhet të jetë një “kontroll” apo vlerësim i vazhdueshëm, i të gjithë vendimeve që marrin gjyqtarët dhe prokurorët.
Jo rrallë, korrupsioni apo njëanshmëria në trajtimin e çështjeve gjyqësore, duket qartësisht nga vendimet e marra, por pothuajse kurrkush nuk merret dhe nuk bëhet asnjë debat për këto vendime. Nga ana tjetër, leximi apo vlerësimi i vazhdueshëm i vendimeve ndikon pozitivisht edhe në transparencën dhe ruajtjen e konsistencës së vetë sistemit të drejtësisë.
Në këtë kuptim, mendoj se të gjitha gjykatat, por veçanërisht Gjykata e Lartë, duhet të ketë një drejtori apo njësi të veçantë të përbërë nga juristë me përvojë, të cilët duhet të merren më çështjet e njehsimit dhe konsistencës së praktikës gjyqësore si dhe problemet që kanë të bëjnë me respektimin e parimit të sigurisë juridike në vendimmarrje, parim aq i domosdoshëm për forcimin e shtetit të të së drejtës, mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe interesave publike në Shqipëri.
Në fakt, një nisëm të tillë personalisht e mora dy vite më parë, por nuk gjeta mbështetjen e duhur për ta realizuar në praktikë këtë ide, qoftë edhe për arsye financiare.
Jashtë konturit të të drejtuarit të gjykatës supreme, a ndjeni ju presion te kolegët tuaj për shkak të vetingut?
Se çfarë ndjen secili nuk mund ta di, por mendoj se përgjithësisht është bashkëpunuar dhe janë plotësuar rregullisht, nga të gjithë kolegët, në afatin e caktuar, të gjitha kërkesat që kanë ardhur në kuadër të reformës.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe stafi ndihmës si: Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë dhe ajo me Publikun, kur ka pasur nevojë për të asistuar gjyqtarët dhe ndihmësat ligjorë, për hartimin e dokumentacionit, plotësimin apo saktësimin e tij.
Artikulohet shumë për ndërhyrje të politikës në punët e drejtësisë. Sipas jush a ekziston një fenomen i tillë?
Nuk e di se në ç’kuptim e thoni këtë. Nëse flitet në përgjithësi për punët e drejtësisë e posaçërisht për gjyqësorin, besoj se është e qartë që përgjigja është po. Edhe vete Montesquieu, që në gjysmën e dytë të shekullit të 18, kur fliste për ndarjen e pushteteve, e përshkruante gjyqësorin si pushtetin “e zbehtë dhe të mjerë” përballë dy pushteteve të tjera, atij legjislativ dhe ekzekutiv.
Por SH.B.A. dhe shtetet e tjera të Evropës Perëndimore si Britania e Madhe, Gjermania, Franca, etj., kanë ditur ta forcojnë dukshëm pavarësinë e këtij pushteti, aq i domosdoshëm për demokracinë si formë e qeverisjes, për shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e interesave të individit. Ne jemi shumë larg këtyre standardeve.
Edhe pas gati 30 vjet ndryshimesh, ende politika përpiqet ta trajtojë gjyqësorin apo drejtësinë në përgjithësi, si oborrin e saj. E kur nuk ka bindje,…. Një vendim merr një gjyqtar apo prokuror, e kur ai nuk i pëlqen apo prek interesat e politikës, zbulohet menjëherë e shkuara, deri tek gjeneza personale e ndoshta edhe familjare e gjyqtarit apo prokurorit. Edhe për sa i përket çështjeve konkrete, nuk mund të them se nuk ekziston fenomeni i ndërhyrjes.
Ka pasur ndonjë rast që edhe mua më janë drejtuar politikanë të ndryshëm, të cilët në emër të personave të përfshirë në konflikte në zonat e tyre zgjedhore, etj., më kanë kërkuar përshpejtimin e gjykimit, zgjidhjen e konfliktit apo pezullimin e ndonjë vendimi penal. Jam përpjekur t’u shpjegoj se ata nuk mund të ndërhyjnë në çështje konkrete, qoftë si persona privatë apo funksionarë shtetëror.
Javët e fundit u zgjodh kryeprokurorja e përkohshme, në një situatë tejet të tensionuar që u pasua dhe me akte dhune ne Kuvend. A është kushtetuese procedura e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e kryeprokurorit?
Është çështje e politikës dhe nuk më takon të ndërhyj. Sigurisht që në interpretim të kuadrit kushtetues dhe ligjor, edhe unë si jurist, mund të kem mendimet e mia për këtë rast. Por detyra funksionale më pengon të shprehem publikisht.