Sekretarja e shoqërisë civile në Partinë Demokratike, Nevila Xhindi, ka shkruar sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias se një media e lirë dhe e pavarur është kyç për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë. Ajo shprehet se kjo është një punë e vështirë në një kohë të rritjes sipas saj të autoritarizmit.
“Respekt dhe mirënjohje për cdo gazetar, kameraman, redaktor, punonjës të medias në cdo front të saj. Jeni heronjtë e çdo dite! Punë e vështirë është në Shqipërinë tonë, ku sot rritja e autoritarizmit dhe politikës regresive sinjalizojnë një front të ri në luftën për të mbrojtur dhe zgjeruar lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.
Xhindi po ashtu shkruan se duhet patur respekt për sakrificat e gazetarëve shqiptarë që punojnë në kushte të pafavorshme dhe përveç kësaj duke u përballur edhe me njerëzit me pushtet.
“Respekt për ju që përballeni me sulme fizike, me fyerje, me dhunë verbale nga shtetarët dhe nga pronarët “pushtet” të mediave, largoheni nga puna për një status në FB, për një lajm të drejtë por që nuk i shkon përshtat linjës së biznesit të pronarit me qeverinë. Respekt për ju gazetarë që punoni për një minimum jetese, që merrni rroga qesharake, e madje shpesh i merrni një herë në tre muaj, dhe që luftoni për lajmin cdo ditë: në diell, në shi; ditën e natën. Një media e lirë dhe e pavarur është një aleat kyç i shoqërisë në kërkim të zhvillimit të qëndrueshëm, drejtësisë sociale dhe të drejtave të njeriut. Sulmet ndaj medias zakonisht shkojnë krah për krah me sulmet ndaj shoqërisë civile dhe vlerave të një shoqërie dhe janë një barometër i niveleve të padrejtësisë , korrupsioni dhe autoritarizmi në çdo shoqëri. Lufta kundër politikës aktuale regresive, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në mbrojtje të votës dhe vazhdimësisë së jetës mund të fitohet vetëm nëse bëhen lidhje më të forta mes shoqërisë dhe medias së pavarur. Ne jemi duke u sulmuar së bashku, ndaj duhet të luftojmë së bashku”,-shprehet Xhindi në shënimin e shpërndarë në rrjetet sociale.
(M.D/Shuplaka)