Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho në një deklaratë për mediat tha sot se kostoja e jetesës së qytetarëve shqiptar është dyfishuar përgjatë dy viteve të fundit, por qeveria nuk ka bërë asgjë për të zbutur efektet e krizës së çmimeve.
Xhixho nënvizoi gjatë fjalës së saj se Partia e Lirisë ka kërkuar disa herë gjatë këtyre viteve reduktimin e TVSH-së së ushqimeve të shportës në 5%, por kjo kërkesë është rrëzuar me arrogancën e kartonëve të një maxhorance që do të mbushë arkën me paratë e shqiptarëve të varfër.
“1 milion qytetarë janë në varfëri sipas vetë INSTAT, dhe kjo është drama më e madhe që qytetarët të mos kenë mundësi të ushqehen, të vishen e jo më të arsimohen e kenë mundësi për një jetë normale”, tha Xhixho. Deputetja e PL-së shtoi më tej se një shqiptar i blen 20%- 30% më shtrenjtë të njëjtat ushqime që blen një europian me dyfishin e pagës.
Duke u ndalur tek siguria ushqimore, Xhixho tha se “siguria ushqimore e produkteve që konsumojnë është sot shqetësimi më i madh që kanë qytetarët, pasi nuk ka asnjë siguri për produktet që konsumojmë”. Xhixho tha se Partia e Lirisë do të mbështes familjet e reja me kredi me interesa të subvencionuara nga shteti sipas modelit hungarez dhe do të rimbursojmë shportën e bebes.
“Nga ana tjetër, do të rrisim nivelin e pagave mbi mesataren e rajonit, do të dyfishojmë pagat e mjekëve dhe mësuesve, do dyfishojmë pensionet dhe do të rimbursojmë realisht ilaçet”, shtoi Xhixho. Gjithashtu, e përmbylli deklaratën e saj deputetja e PL-së, “investimi në arsim dhe kërkimin shkencor do të jetë 5% e PBB dhe inovacioni do të financohet mbi mesataren e rajonit”, ndërsa shtoi se do të “mbështesim bujqësinë me 30 miliardë lekë çdo vit, do nxisi eksportet e do fuqizojmë fermerët”