Vazhdon përplasja mes PS-së dhe LSI-së. Sot anëtari i Kryesisë së LSI-së Dritan Ylli i kundërpërgjigjet sekretares për Rininë në Partinë Socialiste lidhur me deklaratën e saj në Shkodër, në krah të Edi Ramës.
”Dikush tha sot në Shkodër, qe nuk duam “qeverinë e besimit, të pabesive” …
Por, a ka pabesi më të madhe të flasësh në Shkodër, djepin e demokracisë dhe të pluralizmit, me retorikë përjashtuese dhe arrogante? ”, shkruan Ylli.
Qeveria e besimit është një propozim bërë nga kreu i LSI-së Ilir Meta për zgjidhjen e ngërçit politik, duke qenë se opozita ka 50 ditë që proteston përpara Kryeministrisë duke mos u futur në Parlament.
”A ka provokim me të idhtë për shkodranët dhe gjithë shqiptarët të kërkosh të kthesh mbrapa historinë e të hysh në zgjedhje pa opozitën, pavarësisht emrit të forcës politike që përfaqëson atë? Në Shkodër e dinë më mirë se kudo tjetër, çdo të thotë drejtësi, pa pluralizëm, çdo të thotë drejtësi e njëanshme…
Sot, pas 27 vitesh pluralizëm, askush nuk duhet të ketë frikë nga zgjedhjet e lira …Dhe natyrisht as nga drejtësia që buron nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme !”, vazhdon më tej Ylli.
Një tezë e re është duke qarkulluar së fundmi: mocioni i mosbesimit. Por ky opsion është duke u kundërshtuar nga demokratët dhe disa analistë, opsion që sipas tyre nuk do zgjidhte asgjë. Për demokratët qeveria teknike mbetet zgjidhja e vetme. (V.G/SHUPLAKA)
Discussion about this post