Ylli Manjani foli dje në Dritare me Rudinën pas shkarkimit si ministër i Drejtësisë. Manjani e quan “shkollë politike” rrugëtimin e tij politik në PS dhe LSI.
Tani, pak kohë pas shkarkimit Manjani ai ka folur për marrëdhëniet e tij me Ramën.
Ai ka rrëfyer edhe debatin që ai ka pasur me kryeministrin Rama pas deklaratave të tij për kanabisin në vend.
Manjani u shkarkua pak kohë pasi kërkoi që ushtria të ndërhynte për situatën e kanabisit në vend.
Xh: Ju e diskutuat në një mbledhje të LSI-së atë vendim (ushtrinë që duhet futur për hashashin), ishte një qëndrim i LSI-së?
M: Nuk ishte vendim i askujt, ishte një qëndrim i përgjegjshëm i Ministrit të Drejtësisë, jo personal. Po të ishte personal, ka zgjedhje të tjera personale.
Xh: Epo ishte si bombë ajo. Ju hodhët një bombë.
M: Nuk hedh bombën Ministri i Drejtësisë, bomba kishte ndodhur në territor dhe kjo është një nga tezat e tjera të rrezikshme që ka Kryeministri, që fajin e ka ai që flet. Nuk sheh problemin që e kemi në territor por ti që e thua pse e thua. Çfarë domethënë kjo dhe kjo është një tezë tjetër për të cilën unë e Kryeministri nuk ishin në dakordësi.
Xh: Iu kërkoi llogari Kryeministri përse folët për këtë gjë?
M: Mbaj mend që kemi bërë një debat me mesazhe në WhatsApp. dhe jo mbledhje qeverie. Ça mbledhje qeverie, ku flitet aty.
Çështja e hashashit është një fakt, ka ndodhur në Shqipërinë e dy viteve e gjysmë të fundit, pra deri në momentin që unë dhashë atë deklaratë. Dhe nuk e dhashë për të fyer askënd dhe nuk thashë në deklarimin tim që fajin e ka Ministri i Brendshëm. Tjetër gjë që Ministri i Brendshëm u ndje fajtor dhe doli menjëherë të reagonte. Unë nuk thashë që Ministrja e Mbrojtjes ka faj për këtë punë e cila doli menjëherë. Nuk thashë asgjë nga këto. Unë thashë që ky fenomen ekziston dhe duhet ta pranojmë, ky fenomen duhet ta luftojmë, ta shkulim nga toka dhe nga koka e çdo shqiptari sepse nuk na nderon. Këtë duhet ta bëjmë me çdo mjet, duke përfshirë edhe ushtrinë. Unë nuk thash të dali ushtria. Thash ekzakt këtë gjë, fenomeni ekziston dhe duhet ta luftojmë. Fenomeni ekziston edhe sot e kësaj dite, ja pasojat e të cilave po i vuajmë edhe sot. Sepse 8 ton drogë që kalojnë nga dogana e askush nuk mban përgjegjësi dhe kjo është e papranueshme. E lëmë sasinë e parave dhe të drogës por imazhi që përçohet tek shtete fqinje, që në Shqipëri ka vetëm drogë dhe asgjë tjetër, sigurisht që nuk e nderon as Ministrin e Drejtësisë, as Kryeministrin, as Parlamentin.
Xh: Pra, nuk i ndryshoni asgjë asaj deklarate, ushtria do ju dukej zgjidhje.
M: Jo se do më dukej zgjidhje, por e theksoj ka qenë një deklaratë e përgjegjshme e Ministrit të Drejtësisë. Një Ministër i përgjegjshëm ngre çështje dhe ofron e zgjidhje.
Xh: E dinit që pas asaj deklarate do mbyllej pak a shumë marrëdhënia juaj si Ministër me qeverinë Rama?
M: Nuk më ka shqetësuar asnjëherë kjo pjesa, sepse unë që ditën e parë të punës si Ministër, puna ime ka filluar e paragjykuar. Ka qenë e çuditshme. Më vonë u sqaruan disa elementë që kishte një fryrje të Kryeministrit dhe njerëzve të tij tek ambasadat e huaja që po na vjen një Ministër i vështirë që na e kanë sjellë me qëllim për të na prishur reformën. Ishte krejt pa lidhje, sepse Ministri i Drejtësisë nuk kishte rol në reformën në drejtësi.
Xh: Ju është thënë ambasadorëve?
M: Po, Ambasadori Amerikan kishte lëshuar një ultimatum sipas Kryeministrit ditën e parë të punës, që unë do hyja në ministri dhe po atje do bëhej një konsultë, një debat publik për reformën në drejtësi. Ultimatumi ishte që Ministri i Drejtësisë të mos marrë pjesë edhe pse godina ku bëhej kjo ishte vet Ministria e Drejtësisë.
Xh: Kush e kishte kërkuar këtë gjë?
M: Sipas Kryeministrit ishte Ambasadori Amerikan. Atë ditë qëlloi që nuk u arrit të bëhej betimi dhe unë po atë ditë jam takuar me të dy ambasadorët e ka qenë një takim shumë miqësor, ishte takimi im i parë me ta dhe besoj janë sqaruar të gjitha ato elementë. Fakti është që Ministri i Drejtësisë nuk kishte rol tek reforma e drejtësisë, pasi ishte transferuar nga qeveria, kishte vajtur në Parlament.
Xh: Por pas shkarkimit tuaj, është thënë se ju keni ndikuar, ju prekët reformën në drejtësi?
M: Cilën reformë preka unë? Unë kam thënë, kam ndarë në Parlament, në Qeveri dhe në publik pikëpamjet e mija për reformën në drejtësi, pikëpamjet e Ministrit të Drejtësisë për reformën në drejtësi. Sepse vërtetë ishte transferuar reforma në Parlament por kjo nuk do të thotë që Ministri i Drejtësisë nuk ka mendime për të dhënë.
Xh: Pavarësisht se për ju ka firmosur Edi Rama në shkarkimin tuaj, nuk mund të mos pranoni që juve iu ka shkarkuar gjithashtu Ilir Meta, shefi juaj i LSI-së
M: Komunikimin ma ka dhënë Ilir Meta, mua Edi Rama nuk më ka thënë asnjë fjalë, as për dorëheqje e as që je shkarkuar. Unë këtë e di nga Ilir Meta. Patjetër që ka qenë dakodësia e Ilir Metës gjithashtu, patjetër që po. Dhe këtë e mirëkuptoj, nuk e diskutoj fare. Ministri është pjesë e konjukture politike. Në një moment të caktuar mendohet që shërben e në një moment të caktuar mendohet që nuk shërben. Kështu është loja në politikë, të lëvizin, nuk je i përjetshëm. Por ajo që unë nuk kam pranuar, është që realisht të tërhiqem me kokë ulur, sepse nuk bëra diçka mirë. Nuk e mendoj këtë gjë, përkundrazi bëra sa munda. Patjetër duhet të kisha bërë më shumë, pata dhe nisma ligjvënëse të cilat u refuzuan në mënyrë sistematike nga Kryeministri. Jo direkt ai , sepse ai mund të thotë që nuk jam marr me atë punë, se merrej sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, i cili është mbi Ministra, mbi Kryeministrin, mbi qeverinë, mbi gjithçka. (M.D/ Shuplaka)