Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një denoncim një ditë më parë, i cili i referohej një mesazhi të mbërritur në adresë të tij nga një qytetar që thotë se është punonjës i ministrisë së Brendshme, po kërkohet sekuestrimi i arkivit dhe serverit të Televizionit Ora News.
Lidhur më këtë ka reaguar vetë biznesmeni Ylli Ndroqi i cili siguron se askush nuk do të vërë dorë mbi historinë 14-vjeçare, mbi të thënat e të pathënat e më shumë se një dekade.
Po ashtu biznesmeni Ndroqi paralajmëron se askush nuk mund të ndalojë surprizat që do të vijnë, ndërkohë që bën thirrje për vetëm pak durim.
Më tej ai falenderon dhe inkurajon stafet e dy televizioneve për hetim të plotë dhe të thelluar, por larg çdo ndikimi nga funksionarë, apo rryma politike.
“Ndërsa miqtë e mi i siguroj se e vërteta e kësaj historie do të dalë shpejt dhe bashkë me të dhe shumë e shumë të tjera!”- shkruan Ndroqi në mbyllje të statusit.
Kujtojmë se prej disa ditësh, një pjesë e pasurive të biznesmenitYlli Ndroqi, përfshirë RTV Ora dhe Ora News, ndodhen nën sekuestro pas hetimeve të ndërmarra nga SPAK dhe televizionet janë marrë në administrim nga shteti. Nga përfaqësuesit e kësaj mediaje ka pasur deklarata se e gjitha ka prapavijë politike.
Reagimi i plotë i Ylli Ndroqit: Përshëndetje miqtë e mi! Muaji gusht duhej t’i dedikohej pushimeve dhe çlodhjes pranë familjes dhe të afërmve, por tashmë e dini, se ata, që “kujdesen” për prapaskenat ndaj Ora Neës nuk ndalojnë.
E për hedhjen dritë mbi disa prej tyre, falënderoj Doktor Berishën për publikimin e nismës më të re që po përgatitet nga Ministria e Brendshme për sekuestrimin e arkivës së televizionit tonë!
Ju siguroj se askush nuk mund të vërë dorë mbi historinë 14 vjeçare, mbi të thënat e të pathënat e më shumë se një dekade. Jo vetëm, por askush nuk mund të ndalojë suprizat, që do të vijnë…edhe pak, durim!.
Ashtu siç kam kërkuar ndaj gazetarëve t’i qëndrojnë larg ndikimit politik në raportimet në ekran, edhe drejtësisë i bëj thirrje, që politikën ta mbajë larg hetimit për këtë televizion. Gjithashtu e inkurajoj për hetim të plotë dhe të thelluar, por larg çdo ndikimi nga funksionarë, apo rryma politike.
Për stafin e të dy televizioneve kam vetëm një mesazh, vazhdoni me guxim, sezoni i ri po vjen dhe kam bindjen, duke njohur talentin e profesionalizmin tuaj se do të jeni edhe më të fuqishëm e të përkushtuar. Edhe pse nga larg jam me ju, ashtu siç kam qenë në gjithë këto vite.
Për ata që menduan se RTV Ora dhe OraNeës do të nënshtroheshin, dëshmuat se dini të jeni profesionistë dhe keni kurajon të publikoni të vërtetat.
Ndërsa miqtë e mi i siguroj se e vërteta e kësaj historie do të dalë shpejt dhe bashkë me të dhe shumë e shumë të tjera!? Javë të mbarë e të qetë dhe shihemi pas pak ditesh!