Ambasadorja Amerikane ka reaguar pas propozimit nga SPAK të emrit të Aida Hajnas si kryetare e BKH-së e njohur ndryshe si FBI-ja shqiptare.
Kim shkruan se tashmë jemi një hap tjetër përpara në rrugën drejt reformën në drejtësi dhe se ndalesa tjetër do të jetë trajnimi nga FBI-ja amerikane.
“Një hap tjetër përpara në rrugën drejt reformës në drejtësi pasi Komiteti i Përzgjedhjes së Drejtorit BKH-së dërgon emrin për Aida Hajnaj në KLP për miratim. Ndalesa tjetër: Trajnimi i FBI-së me më të mirët e zbatimit të ligjit amerikan. Gur mbi gur bëhet mur! ”
Zyrtarisht SPAK ka çuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë emrin e numrit dy të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, e cila është e vetmja që i ka plotësuar kriteret. Kandidatët e tjerë për kreun e “FBI-së” shqiptare; Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj nuk i kanë plotësuar kriteret.
Personi në krye të BKH-së do të drejtojë ekipet e hetuesve, pasi të jenë zgjedhur për këtë mision. Atyre do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat përgjatë gjithë kohës, për t’u siguruar se do e zbatojnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Zgjedhja e kreut të BKH-së kaloi nëpërmjet një procesi ku u përdor edhe makina e të vërtetës dhe gara të tjera fizike dhe mendore, proces ky që u monitorua nga amerikanët dhe partnerët europianë.
BKH është një institucion, i cili do të ndihmojë SPAK në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta. Ngritja e BKH pritet të bëhet pas ngritjes së SPAK-ut. BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe një ekip hetuesish, të cilët duhet të përmbushin standarde të forta, të ngjashme me ato të FBI.