Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dhënë një mesazh shumë të fortë në drejtim të Lulzim Bashës, pas takimit me kreun e PD-së në seli, ku tha se kjo parti nuk mund të hedhë poshtë të gjitha të mirat që ka bërë për vendin, për hatër të një deputeti.
Duke lënë të kuptohet qartë, dhe pa vend për diskutim, Yuri Kim i referohej Sali Berishën, për të cilin tha se nuk meriton të jetë pjesë e Kuvendit dhe të përfaqësojë shqiptarët. Sipas Kim, një parti si PD nuk mund të ”hajë bar për hatër të një deputeti të saj”, pasi kjo do të ishte një tragjedi për vendin.
Kim shtoi më tej se është e lumtur që PD-ja do të rikthehet në Kuvend, ndërsa shtoi se shpreson nga ana tjetër dhe që PS-ja të dalë përtej interesave të ngushta partiake.
Yuri Kim:
Pata një diskutim shumë të mirë me zotin Basha sot, ishte në vijim të takimit që ne kemi pasur kur Reeker ishte në Tiranë, folëm për forcën e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, dhe gjithashtu folëm për rolin e rëndësishëm që PD ka luajtur në vendosjen e këtyre marrëdhënieve, dhe për rëndësinë që Shqipëria të vazhdojë në rrugën drejt BE.
Është i padiskutueshëm fakti që roli që PD ka luajtur është i pazëvendësueshm dhe i domosdoshëm, më vjen mirë që PD do të kthehet në Kuvend në Shtator, gjithashtu kuptojmë që PD ka shqetësime në lidhje me zgjedhjet e 25 Prillit, një pjesë e të cilave janë evidentuar në raportin e ODHIR për zgjedhjet në Shqipëri.
Do të jetë tejet e rëndësishme por dhe e domosdoshme, që SHBA të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet për demokraci në Shqipëri. Ndërsa PD do të rikthehet në Kuvend, është e rëndësishme që PS të ngrihet mbi interesat partiake, në të mirë të vendit.
Gjithashtu dua të theksoj rëndësinë që kryetarët e partive të mund të shoqërohen nga deputetë që vërtetë e meritojnë përfaqësimin e shqiptarëve. Gjithashtu do të jetë e rëndësishme që PD të mendojë për këtë çështje, dhe sikurse e kam përmendur më parë PD ka luajtur një rol të rëndësishëm për ta nxjerrë vendin nga komunizmi, nga diktatura.
Dhe në fakt do të ishte ironi historike dhe tragjedi për vendin nëse partia duhet të hante bar për hatër të një deputeti të saj. Shpresa jonë është që kjo parti të vazhdojë përpara, ka vazhdime të vështira për të gjithë, shpresoj që njerëzit të kenë mundësi të shlodhen në Gusht dhe të rikthehen të freskët dhe të përtërirë.
(E.K/Faxweb.al)