Pas takimit të Yuri Kim me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ka reaguar ambasada e SHBA në Tiranë.
Në reagimin e saj thuhet se gjatë takimeve Kim ka shprehur vlerësimin e SHBA për kontributin e Shqipërisë si aleate në NATO si dhe ka rikonfirmuar angazhimin e saj në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi.
Gjithashtu Kim ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara zhvilloi sot takime prezantuese me Ministrin në Detyrë të Punëve Europiane dhe të Jashtme Gent Cakaj, Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjatë takimeve, Ambasadorja Kim shprehu vlerësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara për kontributet e Shqipërisë si një aleate e NATO-s dhe mbështetjen e saj të rëndësishme në misionet tona të përbashkëta. Ambasadorja gjithashtu rikonfirmoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara në ndihmë teknike për zbatimin e reformës në drejtësi dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, tha Kim.
(F.GJ/FAXWEB.AL)