Kreu i LSDM-së Zoran Zaev deklaron se ka një zgjidhje për krizën politike në Maqedoni. Sipas tij, kjo zgjidhje sigurohet nga Kushtetuta, dhe për t’u realizuar kjo duhet që presidenti Gjorgje Ivanov duhet t’i japë mandatin qeverisës atij.
“Lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski nuk është më i rëndësishëm se Kushtetuta dhe është e papranueshme dhe e palejueshme të nxitë ndarje në Maqedoni dhe të përdorë dhunë vetëm sepse qytetarët zgjodhën ndryshime, ndërkaq ai e humbi pushtetin”, tha Zaev në një deklaratë për shtyp.
Më tutje, kreu i LSDM-së i bën thirrje Ivanovit dhe Gruevskit që të tërhiqen dhe të respektojnë kushtetutën.
“Është e palejueshme edhe nga ana e Ivanovit, që vetëm për ta shpëtuar Gruevskin, ta shkelë Kushtetutën dhe ta vazhdojë krizën politike në dëm të qytetarëve. Nëse Ivanov dhe Gruevski me të vërtetë e duan Maqedoninë siç thonë, atëherë ata do ta respektonin Kushtetutën dhe do të tërhiqen”, thekson LSDM duke shtuar se qytetarët në Maqedoni nuk duan zgjedhje të reja parlamentare, sepse ata mbështetën konceptin e një shoqërie për të gjithë, dëshirojnë të jetojnë së bashku, pa ndarje, në shtet juridik i cili siguron jetë cilësore për të gjithë. (D.D/Shuplaka)