Pas pesë kërkesave të të pandehurit për aferën “CEZ-DIA”, Kastriot Ismailaj, për të përjashtuar trupin gjykues që prej më shumë se 10 muajsh po e gjykon për dy akuza, tani është vetë trupi gjykues që kërkon dorëheqjen nga kjo çështje.
Gjyqtarja kryesuese Vjollca Spahiu njoftoi në seancën e sotme se, ajo dhe dy anëtarët e tjerë i kanë paraqitur kryetarit të Gjykatës së Tiranës dorëheqjen nga gjykimi i Kastriot Ismailajt. Dorëheqja e gjyqtarëve argumentohet me kërkesat e shumta të të pandehurit, i cili nuk ka besim tek ky trup gjykues.
Sipas asaj që mëson “Shuplaka”, në çelje të procesit gjyqësor në ngarkim të Kastriot Ismailajt, kryetarja e trupit gjykues është shprehur se: “Kanë kërkuar dorëheqjen si trup gjykues nga ky proces, pasi nga i pandehuri janë bërë 5 kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues. Është humbur besimi tek trupi gjykues nga i pandehuri, referuar edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”. Ky është argumenti që ka perdor trupi gjykues në Kërkesën për dorëheqje.
Ismailaj dhe avokatët e tij paraqitën një listë dëshmitarësh, por megjithëse kishte një Vendim të Ndërmjetëm, datë 9/5/2016 , nga vetë trupi gjykues, kjo e fundit nuk e kishte pranuar këtë kërkesë.
Ky qëndrim i trupës gjykuese u bë shkak për debate mes të pandehurit dhe trupës gjykuese. Kur ky i fundit i akuzoi ata për njëanshmëri dhe se procesi gjyqësor ishte kryer procedurialisht në disfavor të të pandehurit duke shkelur parimet kushtetuese “të gjithë të barabartë para ligjit”.
Trupa gjykuese në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me vetë vendimin e ndërmjetëm të marrë po prej saj, vendosi ta shtyjë procesin për në muajin janar, pa pranuar dëshmitarët e kërkuar në këtë seancë nga i pandehuri Kastriot Ismailaj.
Ky i fundit akuzohet për veprat penale të ”Mashtrimit të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda”, si edhe ”Pastrimit të produkteve të veprës penale, të kryer më shumë se njëherë”. (A.R/SHUPLAKA)
Discussion about this post