Vijon mbledhja me dyer të mbyllura e komisionit të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që Fax News ka zbardhur detaje nga mbledhja.
Burime bëjnë të ditur se drafti i hartuar nga mazhoranca u është prezantuar anëtareve të komisionit
“Drafti është prezantuar nga ekspertët që e kane hartuar. Opozita e re i qendron pretendimit për të mos e ndarë në dy pjese reformën. Mazhoranca ka kërkuar që të nisin me rekomandimet e Odihr dhe me pas te vijohet me ndryshimin e sistemit.”- bëhet e ditur.
Ndërkaq Partia Demokratike së bashku me aleatët kanë ngritur një grup pune për Reformën Zgjedhore, një nga kërkesat e BE-së për çeljen e negociatave. Tre grupet e punës që janë ngritur nga PD do të drejtohen nga Enkelejd Alibeaj, Oerd Bylykbashki dhe Ivi Kaso.
Në mbledhjen e sotme është diskutuar vetëm mbi dy shtylla të Reformës Zgjedhore që janë financat e partive politike dhe identifikimi biometrik i votuese. Sipas burimeve nga PD për çështjet e tjera vijon diskutimi, dhe materiali i plotë për ndryshimet në Reformën Zgjedhore do të paraqitete brenda një muaji.
Nga ana tjetër në Kryesinë e Kuvendit është mbledhur Komisioni i Posatshëm për Reformën Zgjedhore, me bashkëkryesimin e Rudina Hajdarit dhe Damian Gjiknurit.
Duket se përfundimet e nxjerra në të dy këto takime do të shërbejnë dhe si një urë lidhëse mes mazhorancës dhe opozitës, për të rënë dakord mbi ndryshimet e plota në Reformën Zgjedhore.
Pas mbledhjes në PD Gazmend Bardhi u shpreh se Reforma i takon të gjitha partive politike, dhe jo vetëm parlamentit monist.
“Dua të theksoj që mbledhja e grupeve të ekspertëve të opozitës është një tregues i qartë i angazhimit të opozitës për reformën zgjedhore.
Reforma zgjedhore nuk është e nuk mund të jetë çështje e parlamentit të Shqipërisë. Janë përcaktim të rregullave të lojës për partitë që marrin pjesë në zgjedhje. Në zgjedhje nuk merr pjesë parlamenti por partitë politike ndaj janë ato që duhet të përcaktojnë rregullat.
Opozita ka qenë e angazhuar për të bashkuar edhe me palën tjetër me Kuvendin monist, që vijon punën. Produkti i sotëm është dakordësuar me konsensus të plotë të të gjitha partive. Sot u diskutua për financimin e fushatave dhe partive politike si edhe çështje të mekanizmit zgjedhor. I kemi propozuar një mekanizëm për t’u angazhuar bashkarisht.
Reforma zgjodhore është kusht për hapjen e negociatave. Kemi propozuar një mekanizëm për të bashkëpunuar me palën tjetër. Bundestagu nuk kërkon vetëm miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, por një reformë zgjedhore me konsensusin e partive. Është detyrë e qeverisë që të bënte pjesë të këtij procesi opozitën. Opozita është në rolin e vet, në mbrojtje të interesit të qytetarëve, për të përmbushur këtë kusht të Bundestagut gjerman”, deklaroi Bardhi.
(M.Q/Faxweb.al)