Më datë 27 tetor KLSH-ja iu drejtua Gjykatës së Sarandës për rifillimin e hetimeve në lidhje me kryebashkiaken e Sarandës, Florjana kokës.
Kjo erdhi pasi sipas KLSH-së, hetimet nuk janë zhvilluar si duhet dhe konkluzionet dhe arsyetimi juridik në lidhje me faktet është i gabuar.
“Në lidhje me çështjet e sipërcituata evidentohet fakti që ato nuk janë trajtuar plotësisht, saktë dhe drejtë, në vendimin e pushimit të organit të Prokurorisë në të cilin nuk janë marrë në analizë një sërë faktesh tepër të rëndësishme të përmendura në materialet kallëzuese të KLSH-së, duke arritur më pas në konkluzionin e gabuar që shkeljet e konstatuara nga KLSH nuk përmbajnë elementë të figurës së veprës penale.
Për rrjedhojë, të bindur në faktin që ky vendim pushimi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë është një vendim i padrejtë dhe i mbështetur në një hetim jo të plotë, të mangët dhe jo në përputhje me faktet, gjetjet dhe konkluzionet e përmendura në materialet kallëzuese të KLSH, paraqesim para Gjykatës ankimimin tonë në lidhje me vendimin e pushimit të datës 31.07.2017 “Për pushimin e procedimit penal nr.242 të vitit 2017” duke kërkuar vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve në lidhje me kallëzimin penal të KLSH, si dhe rezervimin e të drejtës të paraqitjes së sqarimeve dhe argumenteve të mëtejshëm në procesin që do të zhvillohet për këtë ankim”, thuhet në kërkesën e KLSH-së të firmosur nga kryetari Bujar Leskaj, drejtuar Gjykatës së Sarandës.
KLSH ka konstatuar një dëm financiar për buxhetin e shtetit me vlerën e 32.466.812 lekë. Auditimi nga KLSH është bërë në periudhën nga 01.1.2015-30.6.2016.
(F.M/Faxweb)