Partia Demokratike ka dorëzuar ditën e sotme propozimet e para për Reformën Zgjedhore që janë 3 paketa për ndarjen e politikës nga krimi dhe goditjen e krimit zgjedhor.
Në takimin e dytë që u mbajt për Reformën Zgjedhore, me katër përfqësuesit politikë dhe me ekspertët e ODIHR-it, opozita theksoi se ka propozuar tre paketa në lidhje me atë që ne mendojmë se është instrumenti që do të ndajë politikën nga krimi, do të godasin krimin zgjedhor, do të rrisin efikasitetin e krimit zgjedhor.
FAXWEB.AL ka siguruar propozimet ligjore të demokratëve që pritet të diskutohen në tryezën e përbashkët dhe më pas të kalojnë në Kuvend për tu votuar.
Në propozimet ligjore Partia Demokratike sanksionon në krye të ligjit të për funksionimin e Policisë së Shtetit, prezencën e qeverisë kujdestare 100 ditë përpara zgjedhjeve.
Demokratët propozojnë që ministri i brendshëm teknik të zgjedh 100 ditë përpara zgjedhjeve edhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë
- Për të siguruar besimin e subjekteve zgjedhore në funksionimin e paanshëm të Policisë së Shtetit, përjashtimisht nga rregullat e parashikuara në nenin 13 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, 100 ditë (njëqind) ditë përprara datës së zgjedhjeve, Ministri i Brendshëm në Qeverinë Kujdestare të zgjedhjeve, i caktuar sipas përcaktimeve të bëra në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Sanksionet e demokratëve për krimet zgjedhore janë shumë të forta, ndërkohë që në grupin e punës ata kanë kërkuar që të shihet mundësia që shkeljet zgjedhore të konsiderohen si shkak për pavlefshmërinë e zgjedhjeve.
Besimin e tyre demokratët e kanë tek qytetarët, duke i inkurajuar ata të denoncojnë krimet zgjedhore. Dhe për të gjithë ata që do të sinjalizojnë dhënie parash në këmbim të votës, apo shkelje ligjore nga individë që kanë lidhje të drejtëpërdrejtë me zgjedhjet, PD parashikon të kenë një status të veçantë. Sinjalizuesit do të kenë rol të njëjtë si bilbilfryrësit në administratën publike.
a: konfidencialitetit gjatë procesit të sinjalizimit, që përfshin, gjithashtu, mundësinë e sinjalizimit anonim të një veprimi ose praktike të dyshuar korrupsioni;
b) ruajtjen e konfidencialitetit të burimit të informacionit të sinjalizuesit;
c) mbrojtjes kundër hakmarrjes.
ç) mbrojtjes në marrëdhënien e punësimit;
d) mbrojtjes nga ndjekja penale për vepra penale të shpifjes, fyerjes apo kallëzimit të rremë, duke konsideruar se në paraqitjen e sinjalizimit, ai ka vepruar në ushtrim të një të drejte tëcaktuar nga ligji, sipas nenit 21 të Kodit Penal;
dh) mbrojtjes gjatë procedimit penal të filluar përpara sinjalizimit, kur sinjalizuesi ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale zgjedhore, duke zbatuar rregullat për bashkëpunëtorin e drejtësisë të parashikuara nga neni 37/a i Kodit të Procedurës Penale dhe neni 52/a të Kodit Penal, pavarësisht cilësimit juridik të veprës penale ndaj sinjalizuesit.
Po ashtu në projektligjin e demokratëve kërkohet pajisja e ambjenteve të qëndrave të votimit me kamera sigurie, pamjet e të cilave të monitoroehn nga KQZ dhe Policia e Shtetit. Policia Gjyqësore do të ketë detyra të veçanta pas shpalljes nga Presidenti të datës së zgjedhjeve. Demokratët kërkojnë që Policia Gjyqësore të evidentojnë familjet me ndihmë ekonomike, të cilat rriskohen t’u ofrohen ndihma në këmbim të votës dhe gjithashtu gjurmimi i çdo donacioni me shumë mbi 50 mijë lekë të reja në favor të partive politike.
Në propozimet e demokratëve për rolin e Prokurorisë në Zgjedhje, parashikohet që Prokurori i Përgjithshëm të jetë fuqiploitë për të vënë në lëvizje të gjitha institucionet në funksion të parandalimit të krimeve zgjedhore.
Po ashtu, janë bërë propozime në lidhje me rolin që do të ketë Prokuroria, qoftë ajo e zakonshme, qoftë ajo e Posaçme në goditjen e krimit zgjedhor, në mënyrë të veçantë Prokuroria e Posaçme për korrupsionin zgjedhor, qoftë atë aktiv, qoftë atë pasiv dhe futja e këtij të fundit në kompetencat e SPAK-ut, sepse sipas PD-së në të shkuarën është lënë jashtë duke dëmtuar një qëllim që ka jo vetëm Kushtetuta por edhe reforma zgjedhore e mëhershme, që krimi i korrupsionit zgjedhor duhet të goditet nga strukturat më të specializuara që kemi ne sot nga reforma në drejtësi.
Pra, sipas PD-së është një paketë e cila trajton disa çështje nga axhenda e miratuar nga Komisionit dhe bashkë me ekspertizën e ekspertëve të ODIHR-it besojmë se do të ecim me shpejtësi për t’u dhënë drejtim çështjeve që janë me ndikim shumë negativ mbi procesin zgjedhor.