Policia e Kavajës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Precedenti”, duke zbardhur dy raste vjedhjeje të ndodhura në një fshat të Kavajës dhe vënë në pranga dy autorët e dyshuar.
Në kuadër të hetimeve për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të vjedhjeve, u arrestuan shtetasit N. L., 29 vjeç, banues në Elbasan, dhe G. Gj., 46 vjeç, banues në Durrës. Dyshohet se ata kanë bashkëpunuar për të vjedhur shuma parash në një banesë dhe në një automjet në fshatin Qerret, Kavajë.
Sipas hetimeve, N. L., me precedent të theksuar penal në fushën e vjedhjeve, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit, pasi ishte larguar në dhjetor 2024 nga ambientet e Komisariatit ku ishte shoqëruar për një vjedhje me dhunë. Dyshohet se gjatë ditëve të fundit ai ishte strehuar në banesën e bashkëpunëtorit të tij, G. Gj.
Gjatë operacionit janë sekuestruar një shumë parash, një automjet, tre celularë dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së vjedhjeve. Hetimet vijojnë për të dokumentuar ngjarje të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.