Zbardhet drafti final për amnistinë në burgje, i cili pritet të miratohet javën e ardhshme nga qeveria. Data 30 shtator është lënë afati i fundit i përfitimit të të dënuarve nga amnistia.
“Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”, thuhet në pikën 1 të nenit të tre të siguruar nga Gazeta “Si”.
Në këtë amnisti Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar vëmendje edhe femrave të dënuar, duke vendosur që të lirohen kjo kategori që janë me burgim deri në tre vjet.
“Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi”, thuhet në këtë amendament.
Në pikën tetë të këtij neni është përcaktuar se “Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale.
Në këtë projekt është parashikuar që me hyrjen në fuqi të këtij ligji të amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet; personat e dënuar femra, që, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç; personat e dënuar meshkuj, që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç. Nuk përfitojnë nga kjo amnisti, subjektet e përcaktuar në nenin 3, pikat 1, 3 dhe 6, të këtij ligji, në rast se janë përsëritës të së njëjtës vepër penale.
Përfituesit me çështje penale të hapur
Kjo amnisti do të prekë edhe personat që kanë një çështje penale të hapur me drejtësinë shqiptare. Kështu në nenin 5 të këtij drafti është përcaktuar se pushohen ndjekjet penale për çështjet në hetime paraprake, për çështjet në proces shqyrtimi në seancë paraprake ose në proces shqyrtimi nga gjykatat në të gjitha nivelet, si dhe për kallëzimet që ndodhen në këto organe procedimi, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për veprat penale të kryera deri në datën 30.09.2019, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim në maksimum deri në 2 vjet, ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë. Këto përfshihen si përjashtime një sërë veprash penale që kanë bëjnë me vepra e penale që konsiderohen nga Kodi Penal si tejet të rënda.
“Nuk përfitojnë nga ky nen personat, që i janë shmangur ndjekjes penale apo procesit hetimor të kryer nga organi procedues deri në datën 30.09.2019 ose personat përsëritës të së njëjtës vepër penale.
Nuk përfitojnë nga ky nen të gjithë personat, të cilët mbajnë apo kanë mbajtur një funksion publik dhe janë subjekt i ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar, si dhe personat funksionarë publikë, që janë në ndjekje penale në hetime paraprake ose në proces shqyrtimi gjyqësore në çdo fazë apo nivel gjykimi”, thuhet më tej nenin 5 të këtij drafti.
Gjithashtu është përcaktuar se nuk përfitojnë nga ky nen, personat, e akuzuar për një nga veprat penale që parashikon neni 59, i Kodit të Procedurës Penale, si i dëmtuar i akuzuar dhe që ka të drejtën e dëmshpërblimit.
Një ditë më parë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj do të deklaronte për median se brenda këtij muaji do të miratohet projektligji për amnistinë e të dënuarve. Por, Gjonaj theksoi se këtë vit do të ketë më pak të burgosur që do të përfitojnë.
“Ministria e Drejtësisë e ka depozituar propozimin e saj në Këshillin e Ministrave dhe Këshilli i Ministrave do ta miratojë ditët në vijim, duke përfshirë të gjitha kategoritë që ne i kemi pasur më shumë prioritet, sikur janë gratë, të miturit dhe të moshuarit. Ende nuk ka një përllogaritje për sa kohë është i ndryshueshëm numri dhe lidhet me disa kritere që kanë të bëjnë me vitet e mbetura të dënimit të pakryer apo dënimit të marrë nga gjykata, por është një numër, pak më i vogël në krahasim me amnistitë e kaluara”, tha ajo.
Herën e fundit që pati amnisti për të dënuarit ishte viti 2016. Drafti final pritet të miratohet nga qeveria javën e ardhshme dhe të kaloj më pas për votim në Parlament. Do të jetë komisioni i Ligjeve si përgjegjës që do të vendosë në mënyrë përfundimtare për kategoritë që do të përfitojnë, duke pasur të drejtën që edhe të rrisin apo zvogëlojnë gamën e përfituesve.
Tetë kriteret për përfitimin e amnistisë dhe uljes së dënimit
- Amnistohen personat e dënuar meshkuj me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna,deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
- Amnistohen personat e dënuar femra dhe të mitur me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën, pezullimin e dënimit me burgim ose çdo lloj dënimi tjetër alternativ, për dënime të dhëna deri në datën 30.09.2019, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi.
- Amnistohen personat e dënuar meshkuj me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet.
- Amnistohen personat femra dhe të mitur të dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
- Amnistohen personat e dënuar femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.
- Amnistohen personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
- Amnistohen personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
- Të gjithë të dënuarve femra dhe të mitur që nuk plotësojnë kriteret për të përfituar amnisti, sipas paragrafëve 2, 4, 5 dhe 7 të këtij neni, u zbritet 1/4 e dënimit të mbetur, pavarësisht kritereve ndaluese të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji. Nuk përfitojnë sipas këtij paragrafi, personat e dënuar përsëritës të së njëjtës vepër penale. /Gazetasi.al