Policia e Fushë-Krujës ka zbardhur dhe ka dokumentuar me prova vdekjen e 34-vjeçarit Indrit Ndoj. Sipas bluve, i riu nuk është vrarë me armë zjarri, por me mjet prerës.
Indrit Ndoj është përleshur fizikisht me dy vëllezërit Sajmir dhe Landi Miri, ndërsa janë sekuestruar të gjitha provat e nevojshme, që implikojnë dy vëllezërit nga Fushë Kruja si autorë të krimit. Ai u gjet pa shenja jete mëngjesin e të premtes në një kanal nga vetë familjarët e tij.
Njoftimi i policisë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mëngjesin e datës 21.10.2022, në Fushë Krujë, ku u gjet i pajetë shtetasi I. N., 34 vjeç, banues në Krujë. Dokumentohet me prova ligjore se 34-vjeçari nuk është vrarë me armë zjarri, por me një send të fortë shpues/ prerës.
Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga dy vëllezër, të dyshuar si autorë të vrasjes. Sekuestrohen provat ligjore që çuan në zbardhjen e ngjarjes dhe në identifikimin e autorëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Krimet ndaj Jetës dhe Pronës, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, si rezultat i hetimeve të thelluara, bënë të mundur zbardhjen e vrasjes së 34-vjeçarit, identifikimin dhe kapjen e dy vëllezërve, si autorë të dyshuar të vrasjes së tij, konkretisht shtetasit:
S. M., 39 vjeç dhe L. M., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë.
Nga tërësia e veprimeve të thelluara hetimore, këqyrja e vendit të ngjarjes, këqyrja e trupit të viktimës, si dhe mekanizmi i ngjarjes, ka rezultuar se në trupin e viktimës ka një plagë në këmbën e djathtë, që është shkaktuar nga një mjet i fortë shpues / preres dhe për shkak të gjakderdhjes, 34-vjeçari ka humbur jetën.
Grupi hetimor, gjatë veprimeve hetimore ka sekuestuar në vendngjarje dhe në banesën e dy vëllezërve, prova ligjore që implikojnë dy vëllezërit në vrasjen e 34-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht, për motive të dobëta, me 34-vjeçarin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe e kishte thyer masën duke dalë në rrugë.
Në konflikt e sipër, ata e kanë goditur me një mjet të fortë shpues 34-vjeçarin dhe më pas janë larguar.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja”, e kryer në bashkëpunim.