Paraditen e sotme, ministri i Punëve të Brendshme, Dritan Demiraj, zhvilloi një takim me drejtuesit e policive nëpër qarqe. Në takimin e zhvilluar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ai dha disa mesazhe dhe shpalosi prioritetet kryesore.
“1. Garantimi i një procesi zgjedhor me standarde të larta profesionale nga ana e Policisë së Shtetit.
2. Mospjesëmarrja dhe mos përfshirja e Policisë së Shtetit në aktivitetet e partive politike dhe fushatës zgjedhore, si një prioritet madhor.
3. Përkushtimi i çdo strukture policore në të gjithë Shqipërinë për të zbatuar me përpikëri misionin kushtetues, ligjin për Policinë e Shtetit dhe Kodin Penal.”, ishin tri prioritetet që ai theksoi.
Ai u ndal edhe tek rëndësia e mospërfshirjes së Administratës në fushatat elektorale, çka shkel parimet kushtetuese dhe ligjet që garantojnë procesin zgjedhor. Ministri paralajmëroi se cilido person me uniformë apo pa uniformë pjesë e strukturave të kësaj ministrie që përfshihet, do të mbajë përgjegjësi administrative dhe penale.
“Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike është vepër penale dhe dënohet me burgim”, u shpreh ai.
Ministri i Punëve të Brendshme u ndal dhe në trafikimin e kanabisit, duke vënë theksin në ashpërsimin e luftës kundër drogës: “Kontrolli i territorit është detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht. Çdo tolerim ndaj këtij fenomeni do të penalizohet rreptësisht. I gjithë zinxhiri drejtues i policisë së shtetit do të mbajë përgjegjësi sipas përcaktimeve të ligjit.”
(XH.A/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”1904″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]