Reforma në drejtësi ishte në fokus të takimit që Presidenti Nishani pati me zyrtaren e lartë të BE-së Mogherini.
Zyra e shtypit pranë Presidentit të republikës, ka zbardhur për mediat takimin që kreu i shtetit Bujar Nishani pati këtë të premte me Përfaqësuesen e Lartë të BE për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv. Presidente e Komisonit Evropian, Federica Mogherini.
Presidenti ka vënë në dukje se ndërkohë që reforma në drejtësi ka patur një zhvillim pozitiv në dy vitet e fundit, tashmë ka mbërritur në një etapë të rëndësishme që kërkon krijimin e mekanizmave legjitimë, të besueshëm dhe të shëndetshëm për zbatimin efikas të saj. Në këtë kontekst ai theksoi se është tejet e rëndësishme që ky proces të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, të shmanget politizimi i tij, dhe të inkurajohet gjithëpërfshirja, si garancitë e besueshmërisë tek qytetarët shqiptarë.
Kreu i Shtetit ka shtuar se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizimin e institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.
Duke u ndalur në zhvillimet e fundit në rajon, Presidenti Nishani garantoi se Shqipëria nuk ndërhyn në punët e brendshme të asnjë vendi tjetër, dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ai shprehu shqetësimin e përdorimit të një gjuhe armiqësore ndaj shqiptarëve në Maqedoni për qëllime që lidhen me garën politike në vend. Presidenti theksoi se Platforma e partive shqiptare në Maqedoni është produkt i vetë këtyre partive, të cilin Shqipëria e mbështet duke e parë në frymën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke mbështetur gjithëherët bashkëjetesën si qytetarë të barabartë ndërmjet të gjitha etnive atje, ashtu sikurse ndjekim parimin marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
(M.D/ Shuplaka)