05:23 | 19/07/2025
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione
Nuk ka rezultat
View All Result
FaxWeb
Nuk ka rezultat
View All Result
Fillimi Aktualitet

Zbehen fitimet e koncesioneve

22:20 | 24/11/2023
në Aktualitet, Ekonomi, Flash, Te Fundit, Te Gjitha
0
Zbehen fitimet e koncesioneve

Për shumë vjet, Partneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve ishin ndër aktivitetet më fitimprurëse në ekonomi, teksa në të shumtën e rasteve, riskun financiar e mori përsipër shteti. Madje, siç po rezulton nga hetimet e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), ka edhe raste kur kompanitë marrin paratë nga buxheti dhe nuk bëjnë pothuajse asgjë (si në rastin e inceneratorëve).

Për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit, PPP-të dhe koncesionet ishin një nga modelet e biznesit që tërhoqën shumë sipërmarrje. Koha tregoi se një pjesë e tyre nuk i shërbyen realisht publikut dhe një sërë koncesionesh janë tashmë nën hetim nga SPAK në fushën e menaxhimit të mbetjeve apo të shëndetësisë.

Në vitin 2022, për herë të parë gjatë viteve të fundit, normat e fitimeve të koncesionarëve kanë ardhur në rënie për gati gjysmën e tyre, ndonëse vijojnë që të jenë në listën e sipërmarrjeve më fitimprurëse në ekonomi me norma kthimi dy shifrore.

“Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e pasaportave dhe kartave të identitetit, raportoi fitime prej 1.7 miliardë lekësh, me tkurrje 34% me bazë vjetore. Norma e fitimit ra në 31%, nga rreth 40% vitin e mëparshëm. Kjo marrëveshje përfundoi në 31 korrik 2023. Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Shoqëria do t’ia kthejë Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të Koncesionit.

“Tirana International Airport” (TIA), që u godit direkt nga kufizimi i udhëtimeve në 2020-n, e mori veten në vitin 2021, ndërsa arriti një trafik rekord pasagjerësh në vitin 2022, si rrjedhojë e kthimit të vendit në një destinacion turistik të preferuar.

Kompania raportoi fitime prej 3.6 miliardë lekësh, me rritje prej 39% me bazë vjetore, ndërsa norma e kthimit arriti në 43.7%.

Sipërmarrje të hapura që nga fillimi i viteve 2000 raportojnë norma të larta fitimi. P.sh., “Regjistri i Barrëve Siguruese”, një kontratë koncesionare e vitit 2009 për veprimtarinë e mbajtjes, ruajtjes, kryerjes së të gjitha veprimeve në lidhje me Regjistrin e Barrëve Siguruese, është aktiviteti me normën më të lartë të kthimit në këtë segment. Në vitin 2022, kompania raportoi fitime prej 185 milionë lekësh, me normë fitimi prej 65.2%.

“GFI Albania”, koncesionari i markimit të karburanteve, i miratuar në vitin 2013, me synim ndërtimin dhe testimin e Sistemit Operativ për ofrimin e shërbimit të markimit dhe monitorimit të karburanteve në RSH, raportoi fitime prej 171 milionë lekësh. Subjekti raportoi një normë fitimi prej gati 40%, nga 35.6% vitin e mëparshëm.

Kontrata 10-vjeçare e markimit të karburanteve përfundonte në 1 gusht 2023, por qeveria, po në gusht, vendosi ta shtyjë edhe me një vit atë. Vendimi nuk i jep arsyet e shtyrjes, por thotë vetëm se kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit.

Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut. Deri tani ka munguar një analizë kosto-përfitime se çfarë i solli tregut të hidrokarbureve ky koncesion në 10 vite dhe sa e luftoi ai kontrabandën.

“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, raportoi 256 milionë lekë fitime në vitin 2022, me rritje 48% me bazë vjetore. Ndonëse të ardhurat ishin pothuajse të pandryshuara, kompania reduktoi kostot, duke bërë që norma e fitimit të arrijë në 15.8%, nga 10.8% që ishte vitin e mëparshëm.

Koncesioni është miratuar në vitin 2011.

Shoqëria koncesionare “Porti MBM”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Porto Romano, realizoi fitime prej 324 milionë lekësh në 2022, teksa të ardhurat u dyfishuan. Norma e fitimit zbriti në 24.6%, nga 39% në vitin 2021.

“La Petrolifera Italo Albanese”, që ka me koncesion portin e hidrokarbureve në Vlorë, ka dalë këtë vit nga renditja e “Monitor 200” pasi fitimet zbritën në 24 milionë lekë, nga 192 milionë lekë vitin e mëparshëm, të ndikuara si nga tkurrja e të ardhurave, ashtu dhe shtimi i kostove.

 

Koncesionarët PPP, fitime të larta për inceneratorin, pak kthim për shëndetësinë

Pas vitit 2013, koncesionet u dhanë në formën e Partneritetit Publik-Privat (PPP), nëpërmjet së cilës, kompania private ofronte shërbimin dhe paguhej sipas një plani vjetor nga buxheti i shtetit, në ndryshim nga koncesionet e para në vitin 2013, kur subjekti privat merrte shërbim ekskluziv, por nuk kishte pagesa direkte nga buxheti.

Në vitin 2022, pagesat totale nga buxheti për koncesionet ishin rreth 12.6 miliardë lekë, me rritje 10.3% me bazë vjetore, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Nga këto, rreth 40% shkuan për koncesionet e shëndetësisë, 11% për inceneratorët, 23% për Rrugën e Arbrit.

Buxheti paguan një pjesë të shërbimit të skanimit, pas rishikimit të kontratës në 2013-n, që ulte pagesat direkte për bizneset. Ky koncesion mori 15% të pagesave të buxhetit në vitin 2022.

 

Burimi: Ministria e Financave

 

Shëndetësia

“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “Ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. “SaniService” rezultoi me fitim, që arriti në 215 milionë lekë, me normë 15%, nga 14% vitin e mëparshëm.

Për këtë koncesion kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare. Në gusht 2023, SPAK lëshoi 8 fletë arresti për persona të lidhur me këtë koncesion.

Koncesioni më i ri është “Laboratory Network”, që ofron shërbimin laboratorik të disa spitaleve në vend. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 1.55 miliardë lekë në vitin 2022, ndërsa fitimi para taksave ishte 136.5 milionë lekë, me rënie prej 41% në raport me vitin e mëparshëm, duke dalë nga renditja e “Monitor 200”, një vit pasi kishte hyrë.

Norma e fitimit për koncesionin e laboratorëve zbriti në 8.8%, nga 18.3% vitin e mëparshëm.

Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës, u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi, në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, afati i së cilës përfundon në vitin 2028.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, në vitin 2022 pothuajse e katërfishoi fitimin, ndonëse ai mbetet në nivele minimale prej 32 milionë lekësh. Norma e fitimit në 2022 ishte gati 4%.

Shoqëria merr financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që ajo ofron prej disa vitesh në disa qytete të vendit.

Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.

“3P Life logistic”, që zbaton Kontratën e Koncesionit / Partneritetit Publik-Privat për Paketën e Shërbimeve të Kontrollit Mjekësor Bazë për Grupmoshat 40-65 vjeç, pothuajse nuk kishte aktivitet në 2020-n dhe një pjesë të vitit 2021.

Kompania nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2021-2022, por sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në vitin 2022, pagesa për këtë koncesion ishte 876 milionë lekë, katër herë më e lartë se në 2021, duke iu rikthyer niveleve normale të parashikuara në kontratë.

Edhe për këtë koncesion, SPAK ka nisur hetime pas regjistrimit për kallëzim penal.

 

Rruga Kardhiq – Delvinë

 

Rrugët

“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për plotësimin e ndërtimit, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila).

Në vitin 2022, kompania raportoi katërfishim të fitimeve në 166 milionë lekë. Norma e fitimit u përmirësua nga 4.2% në 7.6%, ndonëse të ardhurat ishin më të ulëta se viti i mëparshëm, si rrjedhojë e mbajtjes nën kontroll të shpenzimeve. Kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 2.2 miliardë lekësh në vitin 2022, me rënie prej 27% me bazë vjetore.

“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit. Kompania, që ka nënkontraktuar shoqërinë mëmë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit (GJOKA) deklaroi një fitim minimal prej 600 mijë lekësh në 2022, me një normë prej 0.02%.

Sipas raportit të aktivitetit “në vitin 2022, të ardhurat e realizuara për punimet e kryera në Rrugën e Arbrit janë 2.66 miliardë lekë. Në total janë realizuar 79% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge. Për vitin 2022, kemi një ulje të shpenzimeve për interesa krahasuar me vitin 2021 në masën 16%, si rezultat i shlyerjes së shumës së financuar me hua bankare.

Burimet e financimit për këtë projekt bazohen në gjendjen financiare të shoqërisë mëmë ‘Gjoka Konstruksion’, si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë”. Shoqëria mëmë “Gjoka Konstruksion” raportoi fitime prej 2.2 miliardë lekë në 2022, me një normë prej 27%.

 

 

Inceneratorët

Inceneratorët janë koncesionet më të debatuara, për shkak të abuzimeve të mëdha që po gjen hetimi i SPAK, ndërsa kanë rezultuar ndër PPP-të më fitimprurëse. Në vitin 2022, vetëm inceneratori i Tiranës ka vijuar të jetë në renditjen e “Monitor 200”, ndërsa për dy të tjerët, kontrata ka përfunduar.

Për të tre koncesionet, SPAK ka hapur hetimet për abuzime, korrupsion dhe pastrim parash. Nga hetimi, SPAK ka gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesioneve e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënie të pagesave për punime që nuk janë kryer.

Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

“Integrated Energy BV SPV”, që po zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës nuk e ka dorëzuar ende bilancin e vitit 2022. Sipas të dhënave paraprake nga tatimet, kompania ka deklaruar të ardhura prej 2.9 miliardë lekësh dhe fitime rreth 700 milionë lekë, duke u renditur mes 50 sipërmarrjeve me fitime më të larta në vend. Norma e kthimit ishte rreth 25%.

Për këtë projekt, pas një procesi të gjatë hetimesh, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë vendosi në gusht 2023 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.

Akuzat janë për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

Të dhënat nga bilancet tregojnë se “Integrated Technology Services Integrated” realizoi 9,9 miliardë lekë të ardhura gjatë periudhës 2017-2022, nga të cilat rreth 2.5 miliardë lekë ishin fitime.

Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (“Albtek Energy”), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh, me kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë/ditë, sipas deklarimeve zyrtare në kontratë, u pezullua në mars 2022 nga SPAK. Kompania i mori të gjitha financimet nga buxheti para se të bllokohej. Në vitin 2022, financimi ishte zero. Në bilancin e vitit 2022, kompania ka deklaruar 41 milionë lekë të ardhura dhe 86 milionë lekë humbje, ndërsa është vënë në shtator 2023 në sekuestro nga tatimet për pagesa detyrimesh prej 6.5 milionë lekësh.

Inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Fier (“Integrated Technology Waste Treatment Fier”), me kosto totale prej 3.97 miliardë lekësh dhe kapacitet përpunues rreth 180-200 tonë/ditë u pezullua nga SPAK në mars 2022. Edhe për vitin 2022, Ministria e Financave ka paguar për këtë koncesion 376 milionë lekë, ose 45% më pak se viti i mëparshëm. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc për vitin 2022./MONITOR

 

Burimi: QKB, Përpunime të Monitor
Pas

Zbulohet lidhja mes kryebashkiakut të Peqinit dhe njërit prej autorëve, ja detajet e të shtënave me armë zjarri

Para

Piu 60 litra birrë, ja çfarë i ndodhi britanikut

Para
Piu 60 litra birrë, ja çfarë i ndodhi britanikut

Piu 60 litra birrë, ja çfarë i ndodhi britanikut

Discussion about this post

 



Të Fundit

“Një tradhëti e egër dhe e paligjshme” – pse BE-ja nuk ndëshkon më fuqishëm Izraelin?

Rritja e pagave COI sjell 180 milionë euro më shumë në buxhet përmes sigurimeve dhe tatimit mbi të ardhurat

Shtëpia Botuese e Universitetit të Oksfordit ndalon publikimin e revistës shkencore të sponsorizuar nga Kina

Forcat paramilitare Sudaneze (RSF) akuzohen për vrasjen e pothuajse 300 civilëve gjatë sulmeve në fshatra

Gjermania i kërkon Izraelit të lejojë më shumë ndihma në Gaza në mënyrë “të sigurt” dhe “humane”

Brazili miraton ligjin e “shkatërrimit”, që dobëson ndjeshëm mbrojtjen mjedisore

Papa Leoni thirrje kryeministrit izraelit: Duhet të mbrohen vendet e adhurimit

Telefonatë Erdogan-Putin: Përleshjet në Suwayda të Sirisë kërcënojnë sigurinë rajonale

Të paktën 321 të vrarë në përleshjet në Suwayda që nga e diela

Inteligjenca amerikane konfirmon se presidenti iranian u plagos në sulmin izraelit

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Faqja Kryesore
    • Kontakt
  • Politikë
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Veç e jona
  • Kosova
  • Bota
  • Sport
  • ShowBiz
  • Emisione

© Copyright 2025, Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara, Dev by Techzero1.com.