Pak ditë më parë Partia Demokratike po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim u shprehën kundër vendimit për shkurtimin e stafit për Organet e Vettingut. Madje PD premtoi se do të dilte me një propozim të sajin konkret.
Sot është zbuluar edhe amendamenti i demokratëve lidhur me propozimet që ka për stafin dhe pagat e punonjësve për organet e Vettingut.
Ky amendament që është publikuar nga gazeta Panorama, është firmosur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Edmond Spaho.
Aty specifikohen të gjitha ndryshimet e propozuara nga PD.
AMENDAMENTI I PLOTË
OBJEKTI: PËR DISA NDRYSHIME NË 3 PROJEKTVENDIME LIDHUR ME STRUKTURËN ORGANIZATIVE DHE KLASIFIKIMIT TË PAGAVE TË PERSONELIT TË KOMISIONIT TË PAVARUR TË KUALIFIKIMIT, KOLEGJIT TË APELIMIT DHE KOMISIONERIT PUBLIK
BAZA LIGJORE: Neni 75 dhe 88 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë
ARGUMENTIMI I PROPOZIMIT:
Miratimi i strukturave dhe klasifikimi i pagave për institucionet e rivlerësimit kalimtar të gjyqatrëve dhe prokurorëve nga Kuvendi, bazohet në nenin 18 të ligjit nr. 84/2016, ku specifikohet se: “1. Institucionet e rivlerësimit kanë personel dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Struktura organizative dhe klasifikimi i pagave për personelin e institucioneve të rivlerësimit miratohen nga Kuvendi, me propozimin e institucionit përkatës. Personeli i institucioneve të rivlerësimit përbëhet nga njësia e shërbimit ligjor dhe punonjësit administrativë.”.
Nga ky parashikim ligjor, arrihet të evidentohen dy element themelor që duhet të mbahen në konsideratë nga Kuvendi:
Së pari, ligji i siguron institucioneve të rivlerësimit personelin e nevojshëm për të përmbushur detyrat. Për pasojë, Kuvendi është i detyruar nga ligji, që të sigurojë stafin e nevojshëm për organet e rivlerësimit, duke e konsideruar numrin e personelit të propozuar prej tyre, si numër minimal të nevojshëm. Cdo ndryshim në strukturat e propozuara nga organet e rivlerësimit, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe dakordësi të plotë me vetë këto organe të pavarura. Kuvendi duhet të mbështesë cdo kërkesë të tyre, duke shprehur në këtë mënyrë vullnetin e tij për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe financiare që cmohen të nevojshme nga ana e tyre, për ushtrimin e një misioni shumë të rëndësishëm.
Së dyti, edhe pse struktura miratohet nga Kuvendi, propozimi për këtë strukturë duhet të vijë nga vetë organet e rivlerësimit. Propozimi i akteve nga vetë organet e rivlerësimit, nuk është aspekt formal i parashikuar nga ligji, por lidhet me dy aspekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me pavarësinë organizative të organeve të rivlerësimit, si dhe vlerësimin e tyre të pavarur mbi nevojat që kanë për personel me qëllim ushtrimin e funksionit.
Gjatë diskutimit të këtyre strukturave në Komisionin parlamentar për cështjet ligjore, shumica parlamentare në Komision, në tërësi miratoj uljen me rreth 40 për qind të numrit të punonjësve të propozuar nga vetë organet e rivlerësimit. Shumica e drejtuesve të këtyre institucioneve të pavarura, jo vetëm u shprehën kundër këtyre ndryshimeve, por theksuan se me ndryshimet e miratuara në strukturën e propozuar nga vetë ata, nëpërmjet uljes së përgjithshme me 40 për qind të numrit të punonjësve që u kërkuan, po cenohen efikasiteti i punës së organeve të pavarura kushtetuese, të ngarkuara me detyrën e realizimit të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Marrja përsipër nga ana e Kuvendit, që të strukturojë organet e pavarura kushtetuese, duke ulur me 40 përqind numrin e punonjësve të kërkuar prej tyre, është pa asnjë dyshim cënim i parimit kushtetues të pavarësisë organizative të këtyre organeve, si dhe cënon efikasitetin e punës së organeve të rivlerësimit, duke minuar vetë procesin e rëndësishëm të vettingut.
Kuvendi, nëpërmjet këtij vendimi, do t’i diktonte mënyrën e organizimit organeve të pavarura, duke mos pranuar kërkesën e tyre për personel të mjaftueshëm për realizimin e detyrës. Një veprim i tillë, bie ndesh jo vetëm me nenin 18 të ligjit nr. 84/2016, për shkak se struktura që po miratohet nuk është propozim i vetë organeve të rivlerësmit (sic ligji e kërkon), por nga ana tjetër, kjo bie ndesh edhe me pikën 6 të nenit 179/b të Kushtetutës dhe pikën 14 të nenit C të Aneksit të Kushtetutës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, sjell në vëmendjen tuaj, se Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mbështesë veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, duke i mundësuar atyre të gjithë mbështetjen me burime njerëzore dhe financiare që kërkohet. Kjo nënkupton domosdoshmërisht që numri i punonjësve të mos jetë në përgjithsësi më i ulët sesa ai që është kërkuar.
Kuvendi, është përfshirë në këtë proces, me qëllim që të verifikojë nëse organet e rivlerësimit kanë ose jo mjaftueshëm personel për realizimin e detyrës funksionale, dhe kurrësesi për të mos pranuar kërkesën e organeve të pavarura për burime njerëzore. Ajo që mund të bëjë Kuvendi është që në diskutim dhe dakordësi me organet e pavarura, të bëjë një shpërndarje të drejtë të burimeve njerëzore të kërkuara, duke vendosur theksin tek efikasiteti i procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në vlerësimin tonë, vecanërisht “Njësia e Shërbimit Ligjor”, duhet të ketë burimet e nevojshme njerëzore dhe financiare për të udhëhequr, nën drejtimin dhe kontrollin e anëtarëve të organeve të rivlerësimit, të gjithë procesin e vlerësimit të pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale.
Organet e rivlerësimit nuk mund të marrin të mirëqena inforamcionet dhe relacionet e përgatitura nga organet e treta, por duhet të jetë organ me kompetencë të plotë për të verifikuar të gjitha të dhënat mbi vlerësimin e pasurisë, figurës dhe aftësive profesionale të kryer nga organet e treta. Kjo kërkon domosdoshëmrisht forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Shërbimeve Ligjore, dhe jo dobësimin e tyre, sic bëri mazhoranca në Komision.
Duke shtuar apo ruajtur numrin e punonjësve të Njësisë së Shërbimit Ligjor, Kuvendi i Shqipërisë provon se është i angazhuar në garantimin e eficencës në veprimtarinë e organeve të rivlerësimit, si dhe i jep prioritet thelbit të procesit të rivlerësimit, duke ruajtur edhe balancën e drejtë midis numrit të punonjësve që përfshihen në procesin konkret të rivlerësimit, si dhe stafit mbështetës për realizimin pa pengesa të detyrave. Për Kuvendin e Shqipërisë, efikasiteti i procesit të rivlerësimit dhe përfundimi i tij në një kohë sa më të shpejtë duhet të jetë parësorë, dhe për këtë organeve të rivlerësimit, duhet t’i vihet në dispozicion cdo burim njerëzor i kërkuar prej tyre.
Në draftstrukturën e miratuar vetëm me votat e shumicës në Komision, rezulton se është ulur numri i punonjëve të Njësisë së Shërbimeve Ligjore, krahas uljes së numrit të punonjësve të tjerë mbështetës të organeve të rilverësimit. Për ilustrim, Kolegjit të Apelimit, nga 14 këshillitarë të kërkuar në përbërjen e Njësisë së Shërbimeve Ligjore, është miratuar të ketë vetëm 10 këshilltarë E njëjta situatë është edhe për Komisionerin Publik, ku rezulton se nga 12 këshilltarë të kërkuar, i janë miratuar vetëm 6 këshilltarë. Ky ndryshim, prek thelbin e procesit të rivlerësimit dhe i pamundëson këtyre strukturave përmbushjen e detyrave sipas Kushtetutës dhe Ligjit. Ky ndryshim është tërësisht i papranueshëm, dhe provë e qartë e mungesës së vullnetit të mazhorancës për suksesin e procesit të rivlerësimit, duke sabotuar që në nisje këtë proces.
Nga ana tjetër, në të tre strukturat e organeve të rivlerësimit, rezulton se nuk është përfshirë pozicioni i anëtarit zëvendësues. Në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe ligjit nr. 84/2016, Kuvendi i Shqipërisë ka emëruar edhe anëtarët zëvendësues, të cilët duhet të jenë pjesë e strukturës së organeve të rivlerësimit. Në kuadër të ruajtjes së pavarësisë dhe paanshmërisë së anëtarëve zëvendësues, të cilët marrin pjesë në raste të caktuar në vendimmarrjen e organit, është e domosdoshme që ato të jenë pjesë e strukturës së organeve të rivlerësimit. Në të kundërt, nëse ato do të vijojnë të jenë pjesë e institucioneve ku punojnë aktualisht (qeveri, kuvend, sektori privat), dhe do të thirren rast pas rasti, për të qenë pjesë e vendimmarrjes së organeve të rivlerësimit, atëherë kjo do të kompromentonte procesin e vendimmarrjes dhe pavarësinë e paanshmërinë në vendimmarrje.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, vlerëson të domosdoshme, mbështetjen tërësore të kërkesave të organeve të rivlerëimit, duke i siguruar atyre një strukturë të ngjashme edhe me strukturën mbështetëe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Për këtë arsye, në mbështetje të nenit 75 dhe 88 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, paraqes 3 amendamentet sipas Aneksit 1, 2 dhe 3 bashkëlidhur. Këto amendamente do të prezantohen nga deputeti Eduard Halimi.
Duke shpresuar se Kuvendi do të shprehë dhe rikonfirmojë vullnetin e sinqertë për mbështetjen e procesit të rivlerësimit,
KRYETARI
EDMOND SPAHO
ANEKSI 1
Në projektvendimin “Për miratimin e strukturës organizative dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, bëhen ndryshimet si më poshtë:
Neni 1: Në pikën II, Lidhja nr. 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
Lidhja nr. 1
STRUKTURA ORGANIZATIVE DHE KLASIFIKIMI I PAGAVE TË KOMISIONIT TË PAVARUR TË KUALIFIKIMIT
Në projektvendimin “Për miratimin e strukturës organizative dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posacëm të Apelimit”, bëhen ndryshimet si më poshtë:
Neni 1
Në pikën II, Lidhja nr. 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
Lidhja nr. 1
STRUKTURA ORGANIZATIVE DHE KLASIFIKIMI I PAGAVE TË KOLEGJIT TË POSACËM TË APELIMIT
ANEKSI 3
Në projektvendimin “Për miratimin e strukturës organizative dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionerëve Publik”, bëhen ndryshimet si më poshtë:
Neni 1
Në pikën II, Lidhja nr. 1 ndryshohet si më poshtë vijon:
Lidhja nr. 1
STRUKTURA ORGANIZATIVE DHE KLASIFIKIMI I PAGAVE TË KOMISIONERËVE PUBLIK