Kryetari i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit Agron Tufa, bashkë me familjen e tij, ka kërkuar azil politik jashtë vendit. Tufa u largua nga Shqipëria pasi kishte marrë disa kërcënime me jetë për shkak të pozicionit të tij si drejtori i Institutit.
Ai ka dhënë edhe dorëheqjen nga posti që mbante dhe përmes një letre tregon të gjitha arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
“Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit u mblodh sot më datë 03.12.2019 ku u njoh me dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Z. Agron Tufa dhe e pranoi atë. Më poshtë do të gjeni të skanuar deklaratën e plotë të Z. Agron Tufa dhe arsyet e tij për këtë doreheqje”, thuhet në një postim në Facebook të këtij instituti.
Kujtojmë se në Shtator të 2019, një person i panjohur kërcënoi shkrimtarin dhe avokatin e tij Kujtim Cakrani përmes një mesazhi në Facebook:
“Ju ballista e fashista, që sot bëheni avoketër dhe kërkoni të mbroni sojin tuaj, që nxin luftën e hedh baltë dëshmorëve, jeni ata të djeshmit, që duheshit vrarë, të mos mbinit ju e që keni marrë zemër sot. S’ka avokat në botë të fshijë gjakun e tyre dhe të mbrojë atë Institut kriminel me Agron Tufë e të tjerë se ju jeni më të poshtër se armiqtë që mbroni…
Ju dhe familjarët tuaj ballistë e fashistë nuk do keni vend më tek ne, se e shkruat vetë fundin tuaj. Si dolët avash nga llumi, si pa kuptuar, ashtu do t’ju heqim dhe ne avash të mëdhenj e të vegjël, se ka qenë gabim i madh që për ju pati mëshirë. Të gjithëve gropa ju pret!”.
Rreth 6 muaj më parë, deputetë socialistë e cilësuan punën e Institutit “baltë mbi dëshmorët” dhe kërkuan largimin e drejtorit Agron Tufa. Ndërsa në muajin korrik, socialistët kufizuan me ligj periudhën kohore të studimeve që mund të kryejë ISKPK.
Agron Tufa, gjatë kësaj kohe, ka patur përplasje, edhe me deputetë socialistë, ndërsa ka mbështetur padinë ndaj ish-komandantit të burgut të Qafë-Barit, Edmond Caja, i akuzuar për dhunë sistematike ndaj ish-të burgosurve.