Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Kleina Kasani gjatë një interviste të dhënë për Fax News ka bërë me dije se fondi që i dedikohet këtë vit rinisë shqiptare nga buxheti i shtetit është vlera prej 58 milionë lekë të reja.
Ajo shpjegoi se agjencia përbëhet nga 3 sektorë kryesorë, ku sektori i programeve fokusin e ka tek zhvillimi i aktiviteteve dhe përfshirjen sa më të madhe të të rinjve, ndërsa buxheti i sektorit të projekteve do të jetë i dedikuar për organizatat rinore dhe organizatat për të rinjtë.
“Sipas VKM, por edhe ligjit që ne e kemi udhërrëfyes në punën tonë ne kemi fushë përgjegjësie që lidhet me edukimin joformal të të rinjve, aktivizimin dhe përshirjen e tyre nëpërmjet aktiviteteve, por dhe risia më e fundit është edhe financimi i projekteve rinore.
Kjo agjenci përbëhet nga tre sektorë dhe janë dy sektorë mjaft të rëndësishëm që janë të dedikuar për rininë shqiptare është sektori i programeve dhe sektori i projekteve. Sektori i programeve ka në fokus zhvillimin e aktiviteteve me fokus rininë shqiptare dhe përfshirjen e tyre sa më të madhe. Kur them aktivitet falas për trajnime për të rinjtë që mund të lidhen me leadershipin, mund të lidhen me inovacionin dhe teknologjinë e informacionit.
Sa i përket sektorit të projekteve Agjencia Kombëtare e Rinisë ka një buxhet të dedikuar nga buxheti i shtetit që do të mbështes projekte rinore. Ky buxhet do të jetë i dedikuar për organizatat rinore dhe organziatat për të rinjtë.
Sapo kemi nisur një proces mjaft transparent që është konstituimi i këshillit kombëtarë rinor. Ky këshill kombëtarë rinor është një organ këshillues ku do të marrin pjesë jo vetëm organizata rinore, por edhe përfaqësues nga studentë dhe këshillat studentorë dhe do të funksionojë si një organ këshillimorë pranë Ministrit përgjegjës për rininë, por edhe pranë agjencisë që ne të vendosim prioritetet dhe të jemi transparent në ndarjen e buxhetit që kemi të dedikuar për projektet.
Për vitin 2021 kemi 58 milionë lekë të reja që do të jenë të dedikuara në dhënien e granteve dedikuar organizatave rinore dhe organizatave për të rinjt dhe aktualisht jemi duke bërë punën përmbajtësore për konstituimin e këshillit rinorë i cili më tej do të na ndihmojë për të vendosur piketat dhe për të ndarë formulën më të mirë për dhënien e këtyre granteve”- u shpreh Kasani. (B.D/Faxweb.al)