Një sipërmarrës ndërtimi italian ka pranuar se ka vrarë një të ri shqiptar dhe ka fshehur trupin e tij, pasi viktima kishte tentuar të grabiste banesën e tij në zonën e Cilentos, së bashku me 2 bashkëkombës të tij.
Ngjarja ndodhi gjatë natës mes së dielës dhe të hënës, kur tre shqiptarët hynë për të grabitur vilën e biznesmenit 58-vjeçar Aurelio Valiante. Gjatë përplasjes, sipas hetimeve të para, Valiante ka marrë një pushkë gjahu dhe ka qëlluar në drejtim të tyre.
Si pasojë e të shtënave, humbi jetën 25-vjeçari shqiptar, i identifikuar si Rivaldo Rusi, ndërsa një tjetër i ri shqiptar, 28 vjeç, mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin “Cardarelli” në Napoli, në gjendje kritike shëndetësore.
Në vend që të njoftonte policinë apo ambulancën, Valiante ka vendosur të fshehë trupin e të ndjerit. Pas disa ditësh heshtjeje, ai është dorëzuar në polici dhe ka rrëfyer ngjarjen, duke udhëhequr hetuesit drejt vendit ku kishte fshehur trupin një fermë në zonën Limazzo, pranë një fushe sportive. Trupi i të riut u gjet brenda një vaska vere, në gjendje të rënduar.
Një pikë kthese në hetime ishte dëshmia e të plagosurit, i cili nga spitali tregoi se kishte parë mikun e tij të rrëzohej dhe më pas ishte tërhequr zvarrë nga vendi i ngjarjes. Fillimisht deklarata e tij u mor me rezervë, por më pas u vërtetua nga rrëfimi i vetë autorit.
Aurelio Valiante pranoi para Prokurorisë së Vallo della Lucania akuzat për vrasje, fshehje të kufomës dhe lëndim të rëndë trupor. Trupi i viktimës është dërguar në morgun e spitalit “San Luca” për autopsi, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes dëshmive dhe verifikimeve të policisë.
Autoritetet italiane kanë nisur hetime të plota për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërkohë, Valiante përballet me akuza të rënda penale dhe pritet të dalë përpara drejtësisë.